Raporti i plotë i PE: Marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë të bazohet në njohjen reciproke

min lexim

Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) ka miratuar të martën raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Në raportin për Kosovën i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në atë për Serbinë për herë të parë thuhet se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.

Raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, i cili vjen nga Sllovakia, shtet ky që nuk e ka pranuar Kosovën, e ka kundërshtuar një formulim të tillë.

Kurse, në raportin për Bosnjën dënohet ashpër çdo përpjekje, e cila minon shtetësinë e këtij vendi.

Pas votimit në Komisionin për Politikë të Jashtme, raportet për të tria shtetet do të diskutohen dhe do të miratohen në korrik si rezoluta të Parlamentit Evropian.

Këto rezoluta kanë peshë politike, por nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së.

Çka tjetër thuhet në raportin për Kosovë?
Në raportin për Kosovën që e prezantoi raportuesja për Kosovën në këtë trup, Viola von Cramon, theksohet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.

Në raport përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

Në raportin e miratuar, deputetët e Parlamentit Evropian (PE) theksojnë synimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të këtij viti, por theksojnë se nuk ka procedurë të shpejtë dhe se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i nevojshëm për Kosovën që të përparojë në rrugën e saj evropiane.

Anëtarët e AFET-it përsëritën mbështetjen e tyre për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës dhe përsëritën rëndësinë e angazhimit konstruktiv ndërmjet autoriteteve të Serbisë dhe të Kosovës në mënyrë që të arrihet normalizimi gjithëpërfshirës ligjërisht i detyrueshëm.

Thuhet se marrëveshja është vendimtare për të dyja vendet që të përparojnë në rrugët e tyre evropiane. Si Kosova, ashtu edhe Serbia, janë paralajmëruar se është i domosdoshëm zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Anëtarët e AFET-it në raport kanë thënë se shprehin keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin që do të lejonte mbledhjen e fletëve të votimit për qytetarët me të drejtë vote në Kosovë për zgjedhjet serbe të 3 prillit 2022, siç ishte rasti më parë.

Ata, gjithashtu, përshëndetën miratimin e një rezolute të Kuvendit të Kosovës që dënon fuqishëm agresionin ushtarak të Federatës ruse dhe pushtimin e Ukrainës, dhe vlerësuan Kosovën për përafrimin e saj me BE-në duke miratuar sanksione kundër Rusisë.

Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se Kosova ka shënuar një përparim në këtë drejtim.

Në këtë drejtim është përshëndetur propozimi për reformën në prokurori dhe është kërkuar që të merret parasysh mendimi i Komisionit të Venecias.

Për raportin për Kosovën janë paraqitur edhe amendamentet. Një numër i madh i tyre janë paraqitur nga disa deputetë nga Spanja, të cilët kanë propozuar që nga raporti të largohen të gjitha referencat që e trajtojnë Kosovën si shtet.

Ndërkaq, disa deputetë nga e djathta ekstreme, më së shumti nga Franca dhe Gjermania, kishin propozuar që, në vend të thirrjes për liberalizim vizash, të thuhet se “vizat nuk duhet të liberalizohen në një të ardhme të afërt”.

Raporti për Serbinë: Të harmonizohen politikat e sanksioneve kundër Rusisë
Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.

Autori i raportit për Serbinë, Vladimir Bilçik, i cili vjen nga Sllovakia, u tha gazetarëve se nuk ishte i kënaqur që shprehja “njohje reciproke” është përfshirë në tekstin e amendamentit.

“Shumica e qeverive e njohin Kosovën dhe kanë shumicën në Parlamentin Evropian dhe ka qenë vendim politik i shumicës politike që ta përfshijë këtë në tekst. Po, çështja e njohjes reciproke është në tekst, por njohja nuk është në dorën e Parlamentit dhe këtë duhet ta kuptojë publiku serb”, tha Bilçik.

Ai ritheksoi se çështja e njohjes së Kosovës është privilegj dhe e drejtë ekskluzive e qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe se në këtë moment nuk sheh ndonjë përparim drejt njohjeve të mundshme. Në këtë drejtim, ai konfirmoi se është në kontakt me Qeverinë e tij në Sllovaki dhe shprehu besimin e tij se çështja e njohjes “nuk është temë” në Bratislavë.

Për raportin përfundimtar për Serbinë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit (AFET) votuan 50 anëtarë të AFET-it, pesë ishin kundër dhe tre abstenuan.

Krahas marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit në vend, raporti i votuar përfshin edhe harmonizimin me politikat e sanksioneve kundër Rusisë, si përcaktues i progresit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Autoriteteve në Beograd u kërkohet të “tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe pozicionet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Bilçik tha pas votimit se dëshira e tij është që pas zgjedhjeve të prillit dhe luftës së agresionit rus, partnerët në Serbi të kuptojnë se sa urgjente është të shkohet para në rrugën e tyre evropiane.

“Mund të bëhet më shumë për të ecur me vendosmëri drejt BE-së dhe si raportues i PE-së jam i gatshëm të punoj së bashku me lidershipin e ri në Beograd për të ndihmuar në arritjen e ndryshimeve pozitive për Serbinë evropiane”, tha Bilçik.

Autoriteteve serbe u kërkohet, gjithashtu, të veprojnë kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të ndalojnë çdo retorikë dhe veprim që cenon integritetin e vendeve fqinje dhe rrezikon stabilitetin dhe pajtimin rajonal.

Në raport flitet edhe për për presionin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit dhe mohimin publik të gjykimeve ndërkombëtare të krimeve të luftës. Aty i bëhet thirrje shumicës së sapozgjedhur që të forcojë garancitë për pavarësinë dhe efikasitetin e Gjyqësorit si çështje me prioritet.

Raporti për Bosnjën kundër institucioneve paralele
Përfaqësuesit e Komitetit të Politikës së Jashtme (AFET) në Parlamentin Evropian (PE) votuan edhe raportin për Bosnje dhe Hercegovinën.

Raporti dënon ashpër “mosrespektimin e normave dhe detyrimeve ndërkombëtare dhe kombëtare, të gjitha retorikat e urrejtjes dhe veprimet përçarëse, duke përfshirë tërheqjen nga institucionet, veçanërisht të udhëheqësit të entitetit të Republika Sërpska, gjë që destabilizon vendin, minon shtetësinë e tij duke shkelur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe pengon sistematikisht vendimmarrjen për ligjet dhe reformat kyçe.”

Për këtë raport votuan 44 anëtarë të Komisionit për Politikë të Jashtme të PE-së, tetë prej tyre ishin kundër dhe pesë abstenuan.

Raporti i votuar hedh poshtë të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve paralele para-shtetërore, të cilat cenojnë institucionet shtetërore, rendin juridik, pavarësinë dhe sovranitetin e gjyqësorit; bën thirrje për një kthim të plotë, pa dallim dhe pa kushte në të gjitha institucionet shtetërore dhe i bën thirrje Bashkimit Evropian (BE), si dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i përdorin të gjitha instrumentet në dispozicion, përfshirë sanksionet e synuara, kundër aktorëve destabilizues në vend.

Paulo Rangel, raportues i përhershëm i PE-së për Bosnje-Hercegovinën, vlerësoi se ky raport vjen në një moment vendimtar, si për vendin, ashtu edhe për Evropën.

“Raporti do të konfirmojë mbështetjen e Parlamentit për të ardhmen evropiane të Bosnjes e Hercegovinës, ndërsa adreson sfidat kryesore me të cilat përballet vendi, përkatësisht përshkallëzimin e aktiviteteve destabilizuese dhe bllokimin e institucioneve dhe vendimeve shtetërore. Këto sfida kërcënojnë unitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, “të cilat janë të nevojshme që BeH të përparojë në rrugën e saj evropiane dhe ato janë reforma zgjedhore dhe kushtetuese dhe përmbushja e 14 përparësive kryesore”, tha Rangel.

Në raportin e votuar, deputetët evropianë thanë se ritmi i anëtarësimit në BE përcaktohet nga funksionimi i duhur i institucioneve demokratike, bazuar në shtetin e së drejtës, qeverisjen e mirë dhe të drejtat themelore.

Prandaj i bëhet thirrje Bosnjës të bëjë përparim në 14 prioritetet kryesore duke rivendosur pavarësinë e gjyqësorit, forcimin e shtetit të së drejtës, intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sigurimin e lirisë së medias dhe një mjedis të favorshëm për shoqërinë civile dhe mbrojtjen e grupeve të cenueshme./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Michel: BE-ja e bashkuar në sanksionet ndaj Rusisë; Ballkani Perëndimor, partner strategjik

Story i radhës

Bunjaku: Short pozitiv, shpresoj të kemi një verë të gjatë europiane

Të fundit nga