Raportet: SHBA, e gatshme të diskutojë me Rusinë për trupat dhe raketat

min lexim

Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të zhvilluar bisedime me Rusinë për një marrëveshje reciproke rreth raketave tokësore dhe forcave luftarake në Ukrainë, sipas disa dokumenteve të publikuara nga revista spanjolle, El Pais.

Dokumentet, të cilat sipas gazetës janë pjesë e përgjigjeve të Uashingtonit dhe NATO-s ndaj kërkesave të Rusisë për siguri, kanë ofruar mundësinë e kufizimit të incidenteve ushtarake, si dhe ta sigurojnë Moskën se raketat Tomahawk nuk do të instalohen në Rumani dhe Poloni, vende anëtare të aleancës.

“NATO-ja është aleancë për mbrojtje dhe nuk përbën kërcënim për Rusinë”, është thënë në dokumentin e Uashingtonit.

“Ne gjithmonë kemi qenë në kërkim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në zonën euro-atlantike dhe të një Evrope të lirë dhe në paqe. Këto janë synimet dhe vizioni ynë”.

El Pais nuk ka treguar si ka siguruar dokumentet, derisa agjencia e lajmeve, Reuters ka cituar NATO-n dhe Kremlinin të kenë thënë se nuk mund të komentojnë informacionin e publikuar nga gazeta spanjolle.

Dokumentet i janë dorëzuar Kremlinit muajin e kaluar, pas tentimeve për të ulur tensionet në mes të Moskës dhe Perëndimit lidhur me pozicionimin e më shumë se 100 mijë trupave afër kufirit me Ukrainën.

Rusia ka mohuar se pozicionimi i trupave është shenjë për pushtim eventual.

Megjithatë, presidenti rus, Vladimir Putin ka kërkuar garanci se NATO-ja nuk do të lejojë anëtarësimin e Ukrainës në të ardhmen në këtë aleancë.

Moska po ashtu ka sugjeruar se nuk do të tolerojë trupat e NATO-s dhe infrastrukturën e saj në vendet si Rumania, Bullgaria dhe Gjeorgjia.

Si Uashingtoni, ashtu edhe NATO-ja kanë hedhur poshtë mundësinë që ndonjë shtet të diktojë politikën e aleancës sa i përket anëtarësimit.

“Ne besojmë fuqishëm se tensionet dhe mospajtimet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë, dhe jo përmes kërcënimit për përdorim të forcës”, është thënë në dokumentet e publikuara nga El Pais.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk ka komentar këto raportime.

“Ne nuk kemi bërë asgjë publike”, ka thënë ai.

“Nuk duam të komentojmë për këtë gjë”.

Ai ka thënë se Rusia planifikon të luftojë sanksionet amerikane dhe të zvogëlojë pasojat e tyre, si dhe i ka bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë që të mos “rrisë tensionet” në Evropë.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri britanik, Boris Johnson ishte planifikuar që të bisedonin më 1 shkurt, mirëpo Johnson e ka shtyrë takimin për shkak të problemeve politike të brendshme.

Para takimit, një zyrtar i lartë rus në Kombet e Bashkuara e ka përshkruar diplomacinë britanike si “të pavlerë”.

“Ka gjithmonë hapësirë për diplomaci, mirëpo sinqerisht ne nuk i besojmë diplomacisë britanike”, ka thënë Dmitry Polyanskiy, zëvendës-ambasador në Kombet e Bashkuara, në një intervistë për Sky News.

Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.

Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Përse Arsimi i Lartë në Shqipëri është në Krizë të rëndë

Story i radhës

“Ka qenë një natë… si i thonë ‘bukur’ në shqip”, Beatrix e përshkruan mbrëmjen me gafën që bëri xhiron e rrjetit

Të fundit nga