Rama u dikton gazetarëve se çfarë duhet të raportojnë

min lexim

Kryeministri Edi Rama tentoi t’u diktojë gazetarëve se çfarë dhe si duhej të raportonin gjatë një konference për shtyp që u zhvillua të enjten me fokus rezultatet e Këshillimit Kombëtar.

Duke supozuar se kishte një pakt mes tij dhe mediave, kryeministri u kërkoi gazetarëve të pranishëm në konferencë që të raportonin për temën e konferencës dhe të linin për një hapësirë tjetër përgjigjet e dhëna jashtë kësaj teme.

“Duke shpresuar tek ai pakti, kompromisi që kemi bërë, që për përgjigjet jashtë teme ju do të shfrytëzoni një hapësirë tjetër dhe nuk do të hiqni temën nga raportimi juaj..,”- tha Rama  në fund të konferencës.

I pyetur nga BIRN për ekzistencën e një “pakti” mes kryeministrit dhe mediave, drejtori i Agjencisë për Median dhe Informim, Endri Fuga, tha se “nuk ka ndonjë dokument të shkruar”.

Por Fuga pranoi se gazetarëve iu kërkua që të mbulonin temën për të cilën ishte thirrur konferenca.

“Kemi folur për mundësinë që teksa të gjithë pyesin për çdo gjë dhe marrin përgjigje për çdo gjë, në të njëjtën kohë të mbulojnë edhe temën për të cilën ka ndodhur konferenca,” tha Fuga për BIRN.

“Është bërë zakon që dikush del për një teme të caktuar e më pas bëhen pyetje për tema të tjera dhe tema për të cilën është dalë në rradhë të parë ‘harrohet’,” shtoi ai.

Pretendimi i kryeministrit për një kompromis me median për trajtimin e temave cilësohet “i papranueshëm” nga kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.

“Kjo vendos kufizim për interesimet dhe mundësinë e reporterëve për informacion dhe përgjigje nga kryeministri,” tha Çipa, ndërsa shtoi se kjo “është thjesht një pengesë informale që ndihmon censurën dhe mungesën e transparencës”.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncoi gjithashtu sjelljen e kryeministrit Rama ndaj gazetarëve në konferencën e së enjtes si dhe paralajmërimin e tij në adresë të një reporteri se do “ta çonte për riedukim’.

“Bullizimi i reporterëve apo masat kryeministrore për “riedukim” janë  presion dhe privim i lirisë për raportim të thelluar,” tha Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në një deklaratë.

“Gazetarët janë në shërbim të interesit publik dhe detyra e tyre është informimi. Ndalimi i tyre në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë, kudo dhe kurdo për realizimin e kësaj detyre, është cënim i lirive themelore, është pengim i lirisë raportuese dhe kurajos për informim,” përfundoi Unioni.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ekipi i njohur anglez të dielën mund ta sigurojë rikthimin në Premier Leagu

Story i radhës

Kryetari Gjini takohet me përfaqësues të Asamblesë Komunale të Fëmijëve

Të fundit nga