Kryeministri Rama ka bërë me dije se skuadra shqiptaro-amerikane ka zmbrapsur agresorin kibernetik dhe po merret me forcimin e mureve mbrojtëse të sistemeve të shërbimeve qeveritare.
Përmes një Tweeti Rama shprehet se ekspertët do të dalin në deklaratë për shtyp për të sqaruar qytetarët sapo të përfundojnë proceset.
Në këtë reagim Rama ka përgënjeshturuar edhe aludimet e disa mediave në vend.
Reagimi i plotë:
Se cila është arsyeja që Top Channel vazhdon spekullon papërgjegjshmërisht, pa asnjë bazë, provë, fakt, mbi zhvillimet në frontin e luftës kibernetike, këtë nuk e di! Ndërkohë arsyeja pse mediat e një biznesmenit të kapur me evazion masiv bëjnë të njëjtën gjë, kuptohet më lehtë!
Lajmi i mirë është se agresioni është zmbrapsur me sukses nga një superskuadër shqiptaro-amerikane, se asnjë e dhënë nuk është fshirë, se shërbimet publike janë kthyer në punë! Vazhdon operacioni i forcimit të mureve mbrojtëse dhe hetimit për identifikimin e sigurtë të agresorit!
E gjithë ngjarja do t’i raportohet publikut nga ekspertët, sapo të ndizet drita jeshile e përfundimit të proceseve shembullore që po kryhen nga superskuadra e angazhuar në këto operacione. Keqardhje e madhe për keqtrajtimin që i bëhet publikut për interesa pronarësh në media.