Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria vetëm vitet e fundit është bërë tërheqëse për kapitalin e huaj dhe nuk duhet ta refuzojë atë. Ai tha se në investimet cilësore në Shqipëri, rrogat e punonjësve të turizmit janë të barabarta me ato në vendet fqinje.
“Nuk ka një vend në bregdetin shqiptar ku paga të jetë më e ulët sa në Greqi dhe Kroaci, sipas niveleve”, tha Rama gjatë fjalës së tij në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, përcjell A2 CNN-i.
“Sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do të jenë pagat. Sa më e ulë të jetë cilësia, aq më të ulëta do të jenë pagat. Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për të shpenzuar në atë sistem, aq më të larta do të jenë të ardhurat, e për rrjedhojë dhe të shtetit”, shtoi ai. “Zvicra, që është një vend turistik po ashtu, është një vend shumë i shtrenjtë, por ka paga shumë të larta, për arsyen e thjeshtë sepse ka mundësi të jetë e shtrenjtë sepse ka cilësi shumë të lartë të ofertës së vet”.
Kryeministri shtoi se sot, industria e turizmit shqiptar vuan për punonjës të kualifikuar. “Detyra jonë është ta shtojmë numrin e shkollave të turizmit. Të refuzosh kapitalin e huaj do të thotë të refuzosh cilësinë, jo shkatërrimin”, u shpreh ai.
Burimi: botasot.info


