Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri të ditur sot se në këto 3 vite Shqipëria ka marrë 538 medalje të ndryshme sportive, kjo falë investimeve dhe mbështetjes që është dhënë për lëvizjen sportive në Shqipëri.
Në ceremoninë zyrtare të pritjes së medalistëve Olimpikë në kryeministri, Kryeministri theksoi se “Shqipëria u ofron sportistëve dhe atyre që duan të ngjiten më lartë në sport, kushte që kurrë më parë nuk i kanë pasur. Kishte shumë nga ata që thoshin se ne nuk kishim pse gëzoheshim për këto medalje se këto nuk ishin medaljet tona, nuk ishin medaljet e Shqipërisë, këto nuk ishin medaljet e një rruge pune, përpjekjesh dhe bashkëpunimi të të gjitha forcave për t’ja dalë. Se këto ishin medalje që na erdhën si rezultat i dy djemve të ardhur nga larg, që u gjendën rastësisht këtu në Shqipëri dhe në rrugë kapën autobuzin e skuadrës olimpike, shkuan në Francë dhe morën medalje”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje listën e medaljeve të Shqipërisë në kampionate të ndryshme nga kampionate evropiane, mesdhetare, ballkanike, tek turne të ndryshme ndërkombëtare, nga viti 2021 në vitin 2024.
“Në këto 3 vite Shqipëria ka marrë 538 medalje. Natyrisht që janë medalje të niveleve të ndryshme pot në të gjitha rastet janë medalje ku shqiptarë të të gjitha moshave kanë garuar me të tjerë këtu në Ballkanin e vogël dhe më gjerë në Europë, në turne të ndryshme ndërkombëtarë dhe kanë sjellë 538 medalje. Këto janë medalje të një lëvizje sportive që është vënë në lëvizje në Shqipëri”, theksoi Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se këto medalje janë dallëndyshet e para të një historie që do të sjellë medalje të tjera.