Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri të ditur sot se shumë shpejt do të prezantojë një aplikacion për të mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët që ndodhen në diasporë.
Në fjalën e tij në takimin me shqiptarët në Athinë, Greqi, Rama tha se “kemi filluar procesin e mësimit të gjuhës shqipe me 50 mësuesit e parë për fëmijët.
“Falë një bashkëpunimi me disa të rinj shumë të talentuar kemi gati një platformë që do ta prezantojmë në javët e ardhshme që është një aplikacion si Facebook, Google, si aplikacionet e tjera, që do të mund ta shkarkojnë të gjithë prindërit që kanë fëmijë të vegjël”, tha ai, raporton ATSH.
“Ky është një aplikacion për të mësuar gjuhën shqipe, historinë dhe besoj do të jetë një ndihmë shumë e madhe për prindërit nuk do zëvendësojë shkollën, klasat, por do të jetë një ndihmë e madhe”, tha Rama.
Rama tha se “me futjen në BE ka një program të dedikuar për klasat në gjuhën amtare të evropianëve që jetojnë në vende të tjera”.
“Edhe në këtë aspekt unë kam bindjen që futja në BE do të jetë një hapësirë e re për të bërë masivisht mësimin e gjuhë shqipe për fëmijët që prindërit duan t’ua mësojnë gjuhën shqipe”, tha ai.
Burimi: botasot.info