Rama mbi deklaratën e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi: Nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit

September 27, 2023
min lexim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Itali, së bashku me një delegacion të përbërë nga disa ministra të kabinetit qeveritar, me fokus takimin e Komitetit të Përbashkët Shqipëri-Itali për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, raporton Anadolu.

Në konferencën e përbashkët pas takimit, kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministri dhe ministri italian i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, u fokusuan në çështjet e takimit të komitetit, të bashkëpunimit mes dy vendeve, zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe çështjet e emigracionit.

Kryeministri Rama tha se qeveria italiane ka një angazhim të veçantë për të kaluar nga premtimet në fakte konkrete në fushën e ekonomisë, në politikat e përbashkëta të sigurimit.

“Ne kemi plotësisht të njëjtat qëndrime me të gjitha çështjet dhe na bën nder dhe na kënaq që Italia është avokati ynë më i besuar në nivelin evropian dhe zëri më i fortë dhe më i dëgjuar në Bruksel për të mbështetur Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin e tij evropian”, u shpreh Rama.

Rama tha se në fushën e energjisë kanë shumë nevoja e njëkohësisht objektiva të përbashkëta strategjike me Italinë.

I pyetur në lidhje me qëndrimin e Shqipërisë për një deklaratë të BE-së rreth dialogut Kosovë-Serbi, Rama tha se, “Ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit dhe ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Evropian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit, ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd.”

Rama shtoi se është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare, që sipas tij “heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”.

Tajani: Për ne Shqipëria është partner strategjik në Ballkan

Zëvendëskryeministri italian, nga ana e tij, theksoi se për Italinë, Shqipëria është partner strategjik në Ballkan.

“Italia e konsideron Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor, si një përparësi të politikës sonë të jashtme dhe jemi absolutisht të favorshëm për hyrjen brenda Bashkimit Evropian të këtyre vendeve, duke filluar nga Shqipëria, një vend të cilin gjithmonë e kemi mbështetur dhe urojmë që kjo të ndodhë para vitit 2030. Pra, insistojmë në mënyrë të tillë që të kemi një proces integrimi të përshpejtuar”, u shpreh Tajani.

Ai shtoi se me Shqipërinë bashkëndajnë lidhje të forta historike.

Më tej, Tajani theksoi se me komitetin e përbashkët Itali-Shqipëri, që sot sipas tij i kanë dhënë hov, ranë dakord për disa linja veprimi në tre çështje të mëdha, si infrastruktura, energjia dhe sektori bujqësor dhe agro-ushqimor.

Duke folur mbi emigracionin, Tajani u shpreh: “Për çështjen e emigracionit kemi një dëshirë të madhe për të bashkëpunuar. Rruga e Ballkanit duhet mbajtur nën kontroll dhe nuk duhet të rritet prania e emigracionit klandestin. Pra bashkëpunim i përkryer. Unë gjithmonë e kam thënë se çështja emigratore nuk mund të jetë një çështje që i takon vetëm një shteti dhe nuk mjafton për mendimin tim as reagimi i vetëm i Bashkimit Evropian”.

“Për sa i përket situatës në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, Italia gjithmonë ka dënuar dhe vazhdon të dënojë të gjitha aktet e dhunës. Ne punojmë për paqen dhe stabilitetin e atij rajoni”, tha Tajani.

Gjatë vizitës, kryeministri Rama u takua edhe me presidentin e Senatit të Republikës së Italisë, Ignazio La Russa, si dhe do të takohet dhe me zyrtarë të tjerë italianë.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Raftet e marketeve nuk do të mbesin të zbrazëta: “Askush nuk humb nga masat, çdo shtëpi do të kursejë 2.500 den”

Story i radhës

Vdekja e 17-vjeçarit në Sarandë, kapet në doganën e Qafë Botës pronari i lokalit

Të fundit nga

ShkoLartë