Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se ka marrë të gjitha pushtetet me zgjedhjen e Presidentit të ri.
Gjatë një bashkëbisedimi me shqiptarët në diasporë, Berisha tha se në vitin 2013, mazhoranca e tij kishte vetëm 48% të pushteteve.
Ndërsa tashmë, sipas Berishës, qeveria Rama ka 99.9% të pushtetit.
“Nga viti 2013 në të cilën një mazhorancë kishte gjithsej 48% të pushtetit në Shqipëri, në vitin 2020, mazhoranca arrin të ketë 91% të pushtetit në Shqipëri. Të ketë më shumë se sa kishte Partia e Punës në vitin 1991. Pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës, ky pushtet shkon në 99.9%. Së dyti, në vitin 1991 kur Shqipëria hapi kufijtë, shqiptarët u dyndën nga deti, toka, ajri për të shpëtuar nga dhimbjet e tiranisë së mjerimit që trashëguan. Nga viti 2007 deri në vitin 2014, pati lëvizje të popullatës, por në Shqipëri popullata rritej çdo vit. Pa një politikë specifike demografike. Pas vitit 2014, pothuajse u rishfaqën eksodat e shqiptarëve. Kësaj here, për fatin më të keq të vendit, shtresa e mesme.
Për herë të parë vendi pati 3300 lindje më pak se sa vdekje. Kombi sot, është shndërruar në një komb që rrit fëmijë për emigracion në një kohë kur ju e dini mirë potencialet e jashtëzakonshme që ka Shqipëria si rrallë ndonjë vend tjetër. Nuk dua të bëj një analizë të hollësishme, por vetëm në diskursin e këtyre javëve në Shqipëri. Cili është ky diskurs, legalizimi i drogës dhe amnistia fiskale për paratë e drogës. Unë e di se edhe në vende të tjera, ka debat për legalizimin e drogës. Dhe ndoshta edhe votoj, por nga eksperienca shqiptare, ju them me bindjen më të plotë së pari, droga është krim, krim dhe vetëm krim. Cilido vend që legalizon drogën, legalizon krimin që sjell ajo” – tha Berisha.