Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se nëse rezultati në parlamentin e Maqedonisë së Veriut nuk do të jetë pozitiv, menjëherë të nesërmen Shqipëria do të kërkojë ndarjen e dosjes së saj nga dosja bullgaro-maqedonase.
Rama iu përgjigj interesimit të medias mbi atë që do të ndodhë nëse parlamenti i Maqedonisë së Veriut nuk miraton propozimin francez, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Komisionerin e Bashkimit Evropian, për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas inspektimit të bajpasit të Vlorës.
“Mund të ketë mbaruar një seancë, por në dijeninë time debati do të vazhdojë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Dua të shpresoj që rezultati do të jetë pozitiv. Nëse rezultati do të jetë pozitiv patjetër që Konferenca mund të thirret shpejt. Nëse rezultati nuk do të jetë pozitiv ne menjëherë të nesërmen do të kërkojmë ndarjen e dosjes së Shqipërisë, nga dosja bullgaro-maqedonase”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se është i bindur që Shqipëria duhet t’i çelë negociatat këtë vit.
“Tani të presim fundin e këtij debati maratonë që parashikohet të zhvillohet në parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe pastaj të shikojmë hapin tjetër që do të hedhim. Uroj që parlamenti t’i hapë rrugë propozimit francez dhe kështu të dyja vendet të hyjnë menjëherë në negociatat për anëtarësim, por kjo nuk është diçka që e vendosim ne, këtë e vendos parlamenti sovran i Maqedonisë së Veriut”, tha Rama.
Ndërsa komisioneri Varhelyi u shpreh se sytë dhe veshët janë drejt Shkupit dhe presin një vendim që do të konfirmojë se Maqedonia e Veriut është gati për të ecur përpara.
“Natyrisht që ne tashmë i kemi sytë dhe veshët drejt Shkupit. Mendoj që është thjesht gjëja e duhur që tani të ketë një debat demokratik, pra dhe është gjëja e duhur që kemi këtë debat. Ju keni parë që presidentja jonë, Ursula von der Leyen ka dhënë kontributin tonë në formë të drejtpërdrejtë tek Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dhe jam i sigurt që ky debat do të jetë përfundimtar dhe do të na japë një vendim të qartë, një vendim të qartë i cili do konfirmojë që Maqedonia e Veriut është gati për të ecur përpara me atë që është vënë në tryezë nga presidenca franceze dhe nga qeveria, nga presidenti i Republikës angazhimi është i qartë, por për çështje të tilla është thjeshtë demokratike, është gjëja e duhur që të pyeten përfaqësuesit e qytetarëve dhe jam shpresëplotë që do të kemi një përgjigje të qartë dhe pozitive në fund të këtij debati, por ama ta lëmë këtë debat të shtjellohet, të kryhet e të përfundojë ashtu siç duhet të përfundojë në çdo parlament të çdo vendi”, tha ai.
Varhelyi tha se javën e ardhshme pritet të ketë një vendim për negociatat.
“Jam me shpresë se në ditët e pakta do kemi lajmin e mirë. Dhe në javën e ardhshme do kemi vendimin që kemi kaq kohë që e presim”, u shpreh diplomati.