Ditën e djeshme emri i Ervis Martinajt qarkulloi në mjedisin politik, pas “dushit” të ftohtë që kryeministri Edi Rama i bëri Policisë së Shtetit duke i kritikuar se çështja e zhdukjes së të shumëkërkuarit të drejtësisë u kthye në “Big Brother” për kronikën e zezë.
Rama ia kërkoi drejtpërdrejtë drejtorit të ri të Policisë së Shtetit që të zgjidhë precedentin e krijuar, duke informuar publikun nëse Martinaj ka vdekur, ose nëse është ende gjallë le të kapet dhe ti dorëzohet drejtësisë.
Deklaratat e kreut të qeverisë u komentuan edhe nga kreu i Partisë Demokratike, i cili tha: “Ja them unë se ku e ka Vis Martinajn, të shkojë të pyesë Olsi Ramën se ai e di, e kanë te lojërat e fatit”.
Kjo përplasje Rama-Berisha në distancë për çështjen “Ervis Martinaj” është komentuar edhe nga gazetari i kronikës, Artan Hoxha, i cili tha për ABC se “të dhënat flasin për një eleminim fizik të të shumë kërkuarit të drejtësisë”.
Për Hoxhën, zhdukja e Martinajt është një ngjarje e rëndësishme e cila ka shënuar vijën mes dekadës që lamë pas dhe asaj që fillon, ndërsa kërkoi që Berisha dhe Rama, në cilësinë e statusit politik që kanë të ushtrojnë presion mbi agjencinë e zbatimit të ligjit për të zbardhur të vërtetën lidhur me këtë ngjarje.
Gazetari i kronikës, gjithashtu shtoi se kreu i PD dhe kryeministri Rama e njohin mirë Ervis Martinajn.
“Unë kam theksuar që ngjarja e cila ka përfunduar me rrëmbimin dhe deri tani të dhënat flasin për një eleminim fizik të Martinajt, më bën përshtypje sepse nga data 9 deri në datën 24 kur kam folur për këtë ngjarje, si Rama, ashtu dhe opozita nuk kishin bërë asnjë lloj deklarimi. Kemi të bëjmë me një ngjarje shumë të madhe që unë e kam cilësuar si ngjarje që shënon vijën mes dekadës që lamë dhe dekadës që vjen. Më bëhet qejfi që edhe Rama dhe Berisha më në fund vendosën të flasin për këtë ngjarje, pavarësisht se çfarë kanë thënë. Më në fund vendosën të flasin për një personazh që e njohin të dy shumë mirë. Martinaj është një njeri që e ka mbështetur të djathtën. Unë prisja një tjetër reagim nga kryeministri, por së paku ai foli dhe u përpoq që të jepte një mesazh, ai nuk mbajti një qëndrim por i kërkoi policisë të thotë se çfarë ka ndodhur me Vis Martinajn. Berisha linte të kuptoje se Vis Martinaj ishte i rrëmbyer dhe fati i tij nuk dihej. Berisha i referohej një personi i cili nuk jetonte më. Unë do të doja që të dy këta personazhe në lartësinë e statusit politik duhet të ushtrojnë të gjithë autoritetin dhe të bëjnë presion mbi agjencinë e zbatimit të ligjit që kjo ngjarje të zbulohet”, tha Hoxha.