Presidenti bullgar nuk planifikon të takohet me homologun e tij francez Emanuel Macron për Maqedoninë e Veriut.
Ai tha se për këtë çështje duhet të konsultohet populli, për të cilin ka mekanizma kushtetues.
Presidenti bullgar Rumen Radev nuk do të marrë pjesë në takimin me presidentin francez Emmanuel Macron për Maqedoninë e Veriut së bashku me kryeministrin Kiril Petkov, por lë të kuptohet se është i mundur një referendum në vend për këtë çështje.
Kjo është hera e parë që presidenti bullgar ka ngritur çështjen e një referendumi të mundshëm për Maqedoninë e Veriut.
Një kërkesë të ngjashme ka edhe partia bullgare VMRO.
“Në Bullgari, opinioni publik mbetet i vendosur për Shkupin, por dilema kryesore është se si do të formulohet çështja për një referendum të tillë,” raportojnë media bullgare.
Sipas tyre, organizimi i një referendumi do të merrte shumë kohë, gjë që mund të bllokojë negociatat dypalëshe dhe të ngrijë më tej perspektivën evropiane të rajonit.
Deri më tani, nuk ka asnjë perspektivë që Bullgaria të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe të hapë rrugën për integrimin evropian.
Nga Sofja vijnë gjithnjë e më shumë informacione se vendimi bullgar lidhet me mbështetjen që vendi do të marrë në kuadër të planit të rimëkëmbjes.
Një nga skenarët që u përmend këto ditë janë kërkesat e Bullgarisë për të hyrë në kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe BE-ja të jetë garancë për zbatimin e tyre.
Megjithatë, duke qenë se vendet evropiane nuk duan të ngrenë mosmarrëveshjet dypalëshe në nivel evropian, ky opsion ngjall skepticizëm tek shumë njerëz.
Radev sot u përgjigj i vendosur se “nuk ka përparim në çështjet e hapura mes Sofjes dhe Shkupit”, kështu që nuk ka kushte për vizitën e tij në Paris.