Ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërim” këto ditë po punojnë intensivisht në rregullimin e parkut të ri në lagjen Çento, që shtrihet në një sipërfaqe prej 5000 metra katrorë, gjë të cilën e paralajmëruan vetëm dhjetë ditë më parë kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska dhe drejtori i ndërmarrjes, Angele Sotirovski.
Në parkun që shtrihet nga rruga “Juzhnomoravski Brigadi” deri te kanali, ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërim” tashmë kanë pastruar dhe rrafshuar terrenin dhe është aplikuar shtresë dheu cilësore. Në vijim është vendosja e instalimeve hidraulike, që përfshin hidrantë të rinj, spërkatëse pop-up me mbrojtje metalike dhe sistem ujitjeje pikë-pikë me gjatësi 400 metra.
Pasi ekipet e NP “Rrugë dhe Rrugica” të kenë përfunduar ndërtimin e korsive në park, ekipet e NP “Parqe dhe Gjelbërim” do ta mbjellin sipërfaqen me bar. Në muajt e ardhshëm, kur kushtet atmosferike të jenë të përshtatshme, në park do të mbillen fidanë gjetherënës dhe me gjelbërim të përhershëm dhe do të rregullohen dy alpinetume të zbukuruara me perenë të llojeve të ndryshme.
Rregullimi i sipërfaqeve të reja të gjelbra dhe parqeve të reja në Shkup është një nga prioritetet në punën e Qytetit të Shkupit. Në përputhje me këtë politikë të gjelbër, banorët e kësaj pjese të komunës së Gazi Babës për herë të parë do të kenë një park modern, hapësira të reja të gjelbëruara dhe mundësi për pushim, relaksim dhe shoqërim në ambient të hapur, i cili më parë ishte lënë pas dore dhe i mbushur plot me mbetje inerte dhe mbeturina.