Qytetarët e veriut për rrymën: “Fatura anormale” dhe “duhen paguar”

October 4, 2024
min lexim

Qytetarët e komunitetit serb në veri të Kosovës janë duke marrë ditëve të fundit paralajmërime për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të borxheve të papaguara.

Paralajmërimet, që i pa Radio Evropa e Lirë, jepen nga kompania serbe, Elektrosever, e krijuar në bazë të Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Afati për shlyerjen e borxheve për rrymën e konsumuar është 15 ditë.

Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila monitoron punën e kompanisë Elektrosever, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se një numër i madh i qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike.

“Energjia elektrike llogaritet nga subjekti i autorizuar [Elektrosever], faturat shpërndahen, por niveli i pagesës së faturave nga qytetarët është ende i ulët”, thonë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Megjithatë, në përgjigjen e tyre nuk specifikohet saktësisht se sa qytetarë nuk i paguajnë faturat në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Në bazë të raportit që kemi marrë së voni nga Elektroseveri, llogaritet se në veri janë rreth 23 mijë konsumatorë. Sipas legjislacionit aktual dhe licencave të lëshuara, është përgjegjësi e Elektroseverit që t’i marrë të gjitha masat për pagesën e energjisë elektrike”, thuhet në përgjigje.

Kompania Elektrosever mori licencën për të punuar në Kosovë në qershor të vitit 2023. Ndërsa, në fillim të këtij viti nisi dërgimin e faturave të para te konsumatorët.

Ata nuk e paguan rrymën e shpenzuar që nga paslufta në Kosovë, më 1999.

Pse qytetarët nuk e paguajnë energjinë elektrike?

Predragu nga Mitrovica e Veriut nuk i paguan faturat e rrymës, sepse beson se njehsori i tij është i vjetër dhe se faturat për shpenzimet e tij janë joreale.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se faturat i merr rregullisht, por se e ka paguar vetëm të parën, të cilën e ka marrë në shkurt të këtij viti. Të tjerat thotë se nuk do t’i paguajë, sepse janë “anormale”.

“Njehsori është i vjetër, i paraluftës… Askush nuk ka ardhur ta shikojë. Vijnë disa fatura anormale, nga 90 deri në 200 apo 250 euro”, thotë Predragu.

Ai shton se pret që në periudhën e ardhshme ta ndërrojë njehsorin, që do ta lexonte bilancin e ri dhe në bazë të të cilit do t’i paguante faturat.

Në fund të prillit, Elektroseveri nisi ndërrimin e njehsorëve të vjetër dhe vendosjen e të rinjve në objektet e reja që nuk kishin, por ky proces është ende në zhvillim e sipër.

Njehsor të vjetër të rrymës ka edhe Nenadi, por ai thotë se i paguan rregullisht faturat.

Ai tregon se, gjatë periudhës së verës, ka paguar mesatarisht 10 euro në muaj dhe thotë se mban rregullisht evidencë për rrymën e shpenzuar.

“Unë paguaj [rregullisht] që të mos më grumbullohen faturat. Rryma duhet paguar. Një vendim i tillë është marrë dhe zyrtarët [e Elektroseverit] më kanë thënë se [faturat] duhet të paguhen”, thotë Nenadi.

Aleksandra nga Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka dashur t’i paguajë faturat për rrymën e shpenzuar, kur ka filluar shpërndarja e tyre në fillim të vitit, por se, ndërkohë, ka ndërruar mendje.

“Kam paguar faturën e parë… e cila ishte si një paradhënie. Më pas, kam bërë një pauzë të gjatë, por tani i kam shlyer të gjitha faturat”, thotë Aleksandra.

Sipas saj, njehsorët e energjisë elektrike në veri të Kosovës e llogaritin vetëm rrymën e shtrenjtë dhe kjo është arsyeja përse disa amvisëri kanë fatura të larta.

Çfarë thonë nga Elektroseveri?

Deri në publikimin e këtij artikulli, kompania Elektrosever nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse qytetarët e komunave në veri të Kosovës i paguajnë rregullisht faturat, sa konsumatorë ka, çfarë masash do të merren ndaj atyre që nuk paguajnë dhe të ngjashme.

Por, më 23 shtator, kjo kompani e njoftoi opinionin se paralajmërimi për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike do t’u dërgohet të gjithë konsumatorëve, borxhi i prapambetur i të cilëve është mbi 100 euro.

Kompania, gjithashtu, u bëri thirrje qytetarëve që t’i mundësojnë qasjen në njehsorë, në mënyrë që të regjistrohet konsumi, dhe i ftoi sërish ata që të lidhin kontrata me Elektroseverin për furnizimin me energji elektrike.

Nga Elektroseveri i kanë thënë më herët REL-it se ata që nuk kanë paguar faturën e parë preliminare dhe nuk kanë nënshkruar kontratë me ta, automatikisht bëhen konsumatorë të Kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO).

Por, në njoftimin e fundit thanë se Elektroseveri ka të drejtë ligjore që t’ua pezullojë furnizimin me energji elektrike konsumatorëve që nuk kanë kontratë me ta, si dhe atyre që nuk kanë mundësuar qasjen në njehsorë.

“Furnizimi i sigurt dhe i qëndrueshëm me energji elektrike arrihet me shlyerjen e rregullt të faturave”, thuhet në njoftim.

Në KESCO nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse kanë konsumatorë në komunat në veri të Kosovës.

Në qershor të vitit 2023, Kosova dhe Serbia nënshkruan një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, e cila u arrit në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Pas kësaj, në fillim të dhjetorit të vitit 2023, BE-ja njoftoi se kompania serbe, Elektrosever, ka nënshkruar një kontratë komerciale me Kompaninë Kosovare të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS)./REL

BURIMI: Bota Sot

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​Dita Botërore e Kafshëve

Story i radhës

U plagos nga shpërthimi i tritolit në banesën e motrave Nikolli në Elbasan, ndërron jetë Enea Themollari

Të fundit nga

ShkoLartë