Rritja e çmimeve të disa produkteve ushqimore vlerësohet se ka ndikuar që një pjesë e qytetarëve të blejnë më pak sivjet. Kështu të paktën tregojnë rezultatet e një ankete të publikuar nga Shoqata e Pemëve dhe Perimeve. E derisa çmimet po ngritën, eksporti ka shënuar rënie gjatë këtij viti.
Njohës të fushës paralajmërojnë se gjatë muajve të ardhshëm do të ketë edhe më shumë rënie të prodhimit vendor. Kjo pasi sipas tyre, shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe kalimi në tregun e lirë energjetik, do t’ua pamundësojë bizneseve të prodhojnë e eksportojnë më shumë.
Rritja e çmimeve ua ka zbrazur shportat e ushqimit shumë qytetarëve.
Të dhënat e një ankete të publikuar nga Shoqata e Pemëve dhe Perimeve e cila kishte 1 mijë e 69 respodendë, tregojnë se 1 në 5 konsumatorë kanë blerë më pak produkte këtë vit.
Arsyeja kryesore pse blenë më pak ishte rritja e çmimeve dhe inflacionit.
Ndërsa, sipas anketës, një numër i madh i qytetarëve edhe sivjet kanë vendosur të blejnë më shumë prodhime të shteteve tjera sesa ato vendore.
Kjo pasi sipas tyre, cilësia e prodhimeve të importuara është më e mirë e çmimi i tyre është i njëjtë ose më i ulët.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasin për rënie të eksportit gjatë këtij viti e rritje të importit.
Eksporti i mallrave në mars të 2025-tës kishte vlerën e 74.7 milionë euro, ndërsa ato të importit 610,5 milionë.
Në kohën kur eksporti po shënon rënie, njohës të ekonomisë paralajmërojnë edhe rënie të prodhimit në vend.
Njohës të ekonomisë kanë paralajmëruar rënie të prodhimit vendor gjatë muajve të ardhshëm për shkak të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Sipas anketës së realizuar nga Shoqata e Pemëve dhe Perimeve, produktet të cilat janë blerë më së shumti nga qytetarët kanë qenë supat dhe erëzat, çajrat si dhe pijet joalkoolike.
Burimi: botasot.info