Në 27-vjetorin e betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan e cila njihet si Epopeja e Dukagjinit, shumë qytetarë po vizitojnë Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” dhe po bëjnë homazhe duke kujtuar dhe nderuar të rënët për lirinë e Kosovës.
Gjatë ditës së sotme do të ketë disa aktivitete në atë që njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit, raporton KosovaPress.
Aktivitetet e shënimit të Epopesë së Dukagjinit janë organizuar nga Komuna e Deçanit dhe kanë filluar më 21 mars, ndërsa sot mbahen homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, nga ora 11:00, si dhe një program artistik te Kulla e Haradinajt nga ora 13:00.
Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga forcat e UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.
Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.
Burimi: botasot.info