​QKRMT për transferimin e të burgosurve të huaj në Kosovë: Të respektohen të drejtave të njeriut

min lexim

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetjen e Viktimave të Torturës, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) risjell në vëmendje të opinionit publik vendor dhe ndërkombëtar nevojën për respektimin e të drejtave të njeriut në vendet e privimit nga liria. 

Sipas një komunikate të QKRMT-së, kjo është e rëndësisë së veçantë sidomos në këtë periudhë kur Kosova është në prag të ratifikimit të marrëveshjes për transferimin e të burgosurve nga Danimarka në Kosovë, implikimet e së cilës do të kenë ndikim jo vetëm te ky grup të burgosurish por në tërë sistemin korrektues të Kosovës në të ardhmen. 

“Këto shqetësime janë shprehur edhe nga ekspertë dhe aktivistë të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga QKRMT më 2 mars të këtij viti, si dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare si: World Organization Against Torture (OMCT), European Prison Observatory (EPO), International Rehabilitation Council for Torture Victims (IRCT) si dhe ANTIGONE. Duke marrë parasysh mandatin e QKRMT-së në monitorimin e të drejtave të personave të privuar nga liria, ne u bëjmë thirrje edhe njëherë Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës dhe Danimarkës që Traktati i nënshkruar në mes të dy shteteve për transferimin e të burgosurve nga Danimarka në Kosovë ka implikime të drejtpërdrejta në: Standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që dalin nga Konventa Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese, të cilat janë të përfshira edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin përkatës në fuqi. Aplikimin e standardeve të dyfishta për të burgosurit vendorë në raport me të burgosurit e transferuar nga Danimarka në Kosovë. Ekspozimin e të burgosurve që do të transferohen karshi rrezikut të keqtrajtimit. Kontaktin e të burgosurve me botën e jashtme, gjegjësisht familjen dhe shoqërinë. Aspektet shëndetësore dhe ankesat apo veprimet ligjore të të burgosurve. Krijimin e një precedenti të ri”, thuhet në komunikatë.

Prandaj, me qëllim të minimizimit të këtyre ndikimeve, rritjes së transparencës e llogaridhënies, dhe mbi të gjitha parandalimit të torturës, QKRMT ka kërkuar që t’u mundësohet organizatave jo-qeveritare të shtetit pritës, që monitorojnë të drejtat e njeriut në institucionet e mbyllura, qasja e plotë edhe në burgun e Gjilanit, ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka.

“Kujtojmë që, sipas Traktatit të nënshkruar kjo e drejtë e mbikëqyrjes u njihet: Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), Ombudspersonit Parlamentar të Danimarkës, avokatëve dhe organizatave nga shteti dërgues (Danimarka) që ofrojnë shërbime ligjore për të burgosurit, ndërsa Ombudspersoni i shtetit pranues (Kosova) mund të kryejë inspektime vetëm në lidhje me rregullat dhe rregulloret e shtetit pranues. Megjithëkëtë, QKRMT do të vazhdojë ta zbatojë me përpikëri misionin e saj dhe të mbrojë, avancojë dhe promovojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për të gjithë të mbijetuarit e torturës dhe formave të tjera të dhunës”, thuhet në komunikatë.

Përndryshe, sot shënohet Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, ku më 26 Qershor, 1987 hyri fuqi Konventa e OKB-së Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore ose Degraduese, si një nga instrumentet kryesore në luftën kundër torturës dhe parandalimin e saj.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

I ndodhi edhe kjo rusëve në Ukrainë, raketa të cilën e lansuan nga sistemi raketor ndryshoi drejtim dhe u rikthye nga u nis

Story i radhës

E diela e nxehtë dynd pushuesit drejt Vlorës, trafik i rënduar deri në Radhimë

Të fundit nga