Qendra për Informim dhe Përmirësim Social “Linja e Jetës” po kërkon nga qeveria krijimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për parandalimin e vetëvrasjes.
Në Ditën Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjes, drejtori i kësaj organizate, Bind Skeja, tha se duhet të identifikohen metodat për intervenim dhe komunitetet të cilat kanë nevojë për intervenim të tillë.
Skeja: Kosova të ketë një strategji gjithëpërfshirëse për parandalimin e vetëvrasjes
“10 shtatori njihet si Dita Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjes. Në shtete të ndryshme kjo ditë shënohet si ditë për t’i përkujtuar viktimat e vetëvrasjes, vetëdijesimit të qytetarëve rreth parandalimit të saj dhe kërkuar më shumë nga institucionet për luftimin e këtij fenomeni. Si Linjë e Jetës ne vazhdojmë të angazhohemi që disa vite në këtë fushë dhe avokojmë për implementimin e politikave progresive mbi parandalimin e vetëvrasjes. Kjo nënkupton, në nivelin më bazik, që Kosova të ketë së paku një strategji gjithëpërfshirëse për parandalimin e vetëvrasjes. Të identifikohen metodat për intervenim dhe komunitetet të cilat kanë nevojë për një intervenim të tillë. Sidoqoftë, ndonëse kemi pritur qeveri të ndryshme, kjo ende nuk është vu në letër“, tha Skeja.
Tutje, Skeja renditi disa kërkesa lidhur me parandalimin e vetëvrasjes, që sipas tij institucionet duhet t’i zbatojnë sa më shpejtë të jetë e mundur.
Skeja: Të bëhen reforma progresive dhe komunitare në sistemin e shëndetit mendor
“Duke sfiduar edhe një herë pasivitetin politik, ne thërrasim për veprim dhe, edhe këtë vit kërkojmë krimin e një strategjie për parandalimin e vetëvrasjes, institucionalizimin e Linjës së Jetës, reforma progresive dhe komunitare në sistemin e shëndetit mendor. Këto janë vetëm disa kërkesa bazike të cilat duhet të zbatohen sa më shpejtë, si hap i parë që tregon qasje serioze të shtetit karshi fenomenin të vetëvrasjes”, theksoi Skeja.
Po ashtu, drejtori i “Linjës së Jetës, potencoi se pavarësisht kërkesave që i janë adresuar Ministrisë së Shëndetësisë, ato nuk janë realizuar.
Skeja: Nuk janë vetëm personat me probleme të shëndetit mendor të cilët mund të përfundojnë në vetëvrasje
“Përkundër nevojës për intervenime shumë sektoriale, kjo përgjegjësi iu është dhënë Ministrisë së Shëndetësisë, ku edhe ka mbetur e harruar. Ju rikujtojmë, nuk janë vetëm personat me probleme të shëndetit mendor të cilët mund të përfundojnë në vetëvrasje. Gratë e dhunuara nga burra patriarkal, persona të shtypur prej shoqërisë heteronormative, qytetarë romë që ndalohen prej hapësirave publike, këta nuk gjejnë mbështetje për sfidat e tyre mbrapa mureve të shërbimeve të shëndetit mendor, të cilat veçse janë lënë anash”, shtoi Skeja.
Dita Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjes ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e masave parandaluese për zvogëlimin e numrit të vetëvrasjeve dhe përpjekjeve për vetëvrasje në nivel global.
Sipas statistikave globale afërsisht 800.000 njerëz bëjnë vetëvrasje çdo vit.
Në nivel global, 78% e vetëvrasjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme, ndërkaq helmimi, varja dhe armët e zjarrit janë ndër metodat më të përdorura të vetëvrasjes në nivel global.