Qeveria premton lehtësime për centralet e vogla fotovoltaike

min lexim

Me ndryshimet e Ligjit për ndërtim, Qeveria i lehtëson procedurat për vendosjen e centraleve të vogla elektrike për objekte private dhe të biznesit. Ministri i Transportit, Blagoj Boçvarski, u ka bërë thirrje deputetëve në Kuvend t’i mbështesin ndryshimet ligjore në seancën e parë, e caktuar për në mes të muajit shtator. Deri më tani vendosja e paneleve diellore për prodhim të energjisë ka qenë procedurë e gjatë dhe e ndërlikuar, megjithë faktin që Maqedonia e Veriut është vend me mbi 200 ditë me diell gjatë vitit. Pas presionit nga komuniteti i biznesit, se në krizë energjetike ata nuk mund të paguajnë çmim të lartë për rrymën, Qeveria shpreh bindjen se procedura do të thjeshtësohet.

Të përballur me krizën energjetike botërore, Ministrat e Qeverisë më në fund hartuan ndryshime ligjore me të cilat do të motivohet shfrytëzimi i energjisë së diellit për prodhim të rrymës – këtë verë miratuan vendosjen e centraleve fotovoltaike prej 6 kilovatësh për objekte inividuale dhe 40 kilovatësh për objekte të biznesit, ndërsa tani do t’i lehtësojnë edhe procedurat administrative për këtë.

“Secili qytetar mund të prodhojë vetë energji, ndërsa tepricën ta lëshojë në sistemin e shtetit. Me rëndësi është se me këto ndryshime nuk do të kenë nevojë për miratim nga komuna, investitorët janë të obliguar vetëm ta informojnë komunën dhe t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme,” deklaroi ministri i transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski.

Ministri u bëri thirrje deputetëve në Kuvend t’i mbështesin këto ndryshime ligjore, në mënyrë që të jepet ndihmë në krizën aktuale të energjisë.

“Me këtë do t’u dalim në ndihmë odave, kompanive, sektorit të biznesit, amvisërive, ndërsa i ndihmojmë edhe elektro-sektorit”, deklaroi ministri i transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski.

Këto ditë reaguan edhe Odat Ekonomike në vend, duke vënë në dukje se nëse Qeveria nuk u ndihmon një pjesë e madhe e tyre nuk do të mund të mbijetojnë më faturat e larta të rrymës. Sipas ndryshimeve më të reja ligjore, sisteme fotovoltaike do të mund të vendosen edhe në ndërtesat kolektive, për nevojat e hapësirave të përbashkëta, por vetëm nëse për këtë pajtohen më shumë se gjysma e njerëzve që jetojnë nëpër banesa. Pse Maqedonia e Veriut, vend me më shumë se 200 ditë me diell në vit deri më tani e ka injoruar potencialin e energjisë diellore, rrallëkush dëshiron të flasë. Mbi 80% e prodhimit të rrymës elektrike të ElektroEkonomisë së Maqedonisë së Veriut është nga termocentralet që prodhojnë rrymë nga lëndët djegëse fosile, 15% nga hidrocentralet dhe vetëm 2% nga mullinjtë me erë në jug të vendit.

Story i mëparshëm

Kalfornia do të ndalojë me ligj shitjen e makinave me karburant

Story i radhës

Kroatët nëpër etapat ose periudhat e ndryshme të historisë…

Të fundit nga