Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi i cili gjatë ditës së djeshme kryesoi seancën e 93-të të Qeverisë ka dhënë detaje lidhur me bursat që Qeveria nëpërmes Minisitrisë së Arsimit do ti ndajë për nxënësit e shkollave të mesme.
Grubi ka njoftuar se janë disa kategori që do të përfitojnë. Në mesin e nxënësve që do të fitojnë bursë sipas Grubit janë edhe ata që shkollimin e tyre do ta vazhdojnë në ndonjë degë të shkollave profesionale.
Por jo vetëm, sipas zëvendëskryeministrit të parë, bursa nga MASH do të fitojnë edhe nxënës të talentuar nga fusha e artit, sportistët, nxënës të talentuar nga fusha e shkencave natyrore dhe teknike po edhe nxënësit – fëmijë pa prindër.
Njoftimi i plotë:
– Obliguam institucionet shtetërore të cilat nuk kanë statusin e organeve shtetërore në sistematizim të vendosin numër të caktuar të përkthyesve sipas nevojës së punës,
– Miratuam Vendim për përcaktimin e numrit të bursistëve dhe lartësinë e bursave për nxënësit e shkollave të mesme. Bursa në shumë prej 3500 denarë në muaj parashihen për:
*nxënës të talentuar,
*sportistë,
*nxënës të talentuar nga fusha e shkencave natyrore dhe teknike,
*nxënës të talentuar nga fusha e artit,
*për nxënësit me nevoja të veçanta,
*për mbështetjen sociale të nxënësve të shkollave të mesme,
*për nxënësit – fëmijë pa prindër,
*për nxënësit që ndjekin programe mësimore në drejtimin e hotelerisë dhe turizmit,
*për programet mësimore nga drejtimi i elektroteknikës, nga drejtimi ndërtimtari-gjeodezi, nga drejtimi bujqësi-veterinari,
*për drejtimin e inxhinierisë mekanike; nga drejtimi tekstil-lëkurë,
*për nxënësit që ndjekin dhe drejtimet për aftësimin profesional dhe arsimin profesional në kohëzgjatje trevjeçare;
*për nxënësit që do të regjistrohen në drejtimet e arsimit profesional, në të cilat mësimi praktik do të realizohet me numër të shtuar të orëve, sipas programeve për arsimin profesional,
– për nxënësit romë janë paraparë bursa prej:
*2200 denarësh në muaj për nxënës me notë mesatare prej 4,50 deri në 5,00,
*1500 denarë në muaj për nxënës me notë mesatare prej 3,50 deri në 4,49,
*1200 denarë në muaj për nxënës që kanë notë mesatare prej 3,00 deri në 3,49, dhe
*800 denarë në muaj për nxënës që kanë notë mesatare prej 2,00 deri në 2,99.
– Gjithashtu shqyrtuam dhe miratuam Raportin e MPB-së për negociatat në Marrëveshjen me BE-në për aktivitetet operative të kryera nga FRONTEX.
– Shqyrtuam Informacionin dhe krahasuam harxhimet e energjisë elektrike nga institucionet shtetërore.