Pas kundërshtimeve të Gjykatës që çuan drejt rikthimit në Itali të 12 emigrantëve të paligjshëm nga qendra e azilantëve në Gjadër, qeveria italiane miratoi dekretin që synon kapërcimin e këtij ngërçi, i cili hyn në fuqi menjëherë.
Roma zyrtare heq kësisoj një pengesë nga që rrezikonte devijimin e planit të vënë në lëvizje javën që shkoi, por të minuar menjëherë pas vendimit të gjykatës se grupi i parë i azilkërkuesve të mbërritur në Shqipëri duheshin të dërgoheshin në Itali sërish sepse vendet e tyre të origjinës – Egjipti dhe Bangladeshi – nuk konsideroheshin mjaftueshëm të sigurta sa për të justifikuar deportimin e tyre, thotë Reuters.
Nisma e qeverisë propozon dërgimin në Shqipëri të emigrantëve meshkuj nga të ashtuquajturat “vendet e sigurta”, që do të thotë se ata kanë pak shanse për të fituar azil.
Nëse, kërkesa e tyre për qëndrim në Itali refuzohet, ata riatdhesohen. Ekzekutivi italian u vu në lëvizje dhe ndërhyri duke përmirësuar statusin e listës së tij të vendeve të sigurta, duke e kthyer atë ne një akt ligjor me bindjen e kjo do ta bëjë më të vështirë për gjykatat të kundërshtojnë vlefshmërinë e tij.
Ai hoqi gjithashtu tre nga 22 shtetet origjinale në listë – Nigerinë, Kolumbinë dhe Kamerunin – për shkak të shqetësimeve specifike në lidhje me situatën e sigurisë në ato vende.
“Lëvizja jonë rrjedh nga një vendim shumë i detajuar i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së që ndoshta nuk u kuptua mirë,” u tha gazetarëve Ministri i Drejtësisë Carlo Nordio.
Gjyqtarët e Romës e kishin argumentuar vendimin e tyre duke cituar një vendim të fundit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, sipas të cilit një vend konsiderohet i sigurt për riatdhesimin e emigrantëve vetëm nëse i sigurt mund të konsiderohet i gjithë territori i tij.
Burimi: botasot.info