Qeveria gjermane prezantoi një projektligj për legalizimin e kanabisit për përdorim personal, transmeton Anadolu.
Sipas projektligjit, i cili u miratua nga kabineti i kancelarit Olaf Scholz, të rriturit do të lejohen të kultivojnë dhe të konsumojnë sasi të kufizuara kanabisi.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach tha se legjislacioni i propozuar përfaqëson një “pikë kthese” në politikën kombëtare për të luftuar drogën.
Lauterbach tha se qeveria ka rënë dakord për “legalizimin e kontrolluar” të kanabisit, pasi masat e mëparshme nuk kanë arritur të reduktojnë konsumin e kanabisit, por kanë rezultuar në një rritje të krimit të lidhur me drogën.
“Sot ekziston një treg i madh i zi që është një problem i madh, pasi produktet e kanabisit janë gjithnjë e më shumë me doza toksike ose përmbajnë aditivë toksikë”, tha ai.
Lauterbach argumentoi se legjislacioni i ri do të jetë më efektiv në luftimin e tregut të zi, mbrojtjen e individëve kundër drogave toksike dhe reduktimin e krimit të lidhur me drogën.
Ai gjithashtu tha se përdorimi i kanabisit do të mbetet i paligjshëm për adoleshentët.
Legalizimi i kufizuar i kanabisit
Sipas projektligjit të propozuar, individët mbi 18 vjeç do të lejohen të posedojnë deri në 25 gramë kanabis. Do të lejohet edhe vetë-kultivimi i deri në tre bimëve për konsum personal.
Shoqatat jofitimprurëse, me një maksimum prej 500 anëtarësh, do të lejohen të kultivojnë kanabis dhe ta shpërndajnë atë tek anëtarët.
Sipas projektligjit, një anëtar mund të merrte maksimumi 50 gram kanabis në muaj.
Projektligji kërkon miratimin parlamentar dhe pritet të diskutohet në Bundestag pas pushimeve verore.