Kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e sotme kumtoi se për shkollat dhe kompanitë që kryejnë prodhim të ushqimeve bazë, gjegjësisht bukë, miell, qumësht, produkte të mishit dhe vaj për ushqim do të ketë rrymë më të lirë, njofton Portalb.mk.
“me këtë masë, siç tha Kovaçevski, do të duhet të stabilizohen çmimet e ushqimit. Pritet që çmimet të ulen për së paku 10%. Çmimi të lirë për rrymë do të ketë edhe për shkollat. E njëjta do të vlejë edhe për ndërmarrjet publike. 95 euro për megavat orë do të jetë çmimi i energjisë elektrike.
“Në këtë krizë energjetike, çdo denarë është i rëndësishëm për qytetarët. Pritet dimri më i rëndë pas Luftës së Dytë Botërore. Qytetarët nuk do të përballen vetë me ketë krizë”, tha Kovaçevski.
Subvencionet për mbi 600.000 amvisëri dhe ndërmarrje do të vazhdojnë edhe më tej. 42.000 qytetarë të grupeve të prekshme dhe pensionistët do të fitojnë ndihmë gjatë këtij dimri.
Përndryshe, Sh.A. ESM tanimë ka siguruar nëpërmjet “Makpetrolit” gaz rus nga “Gazpromi” për deri në fund të tetorit. Paraprakisht, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka sqaruar se nëse rritet çmimi i gazit në përmasa enorme ose në ka ndalim të dërgimit të gazit, atëherë ngrohtoret e Shkupit mund të kenë mundësi të punojnë edhe me derivate alternative, gjegjësisht në mazut.
Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.
Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%, por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.
Burimi: portalb.mk