1
Qendra e Kulturës në Tetovë prej disa vitesh udhëhiqet nga drejtorë të komanduar, mandati i të cilëve është zgjatur disa herë rresht. Ndryshimet më të mëdha sa i takon titullarëve janë këto dy vitet e fundit ku janë ndërruar tre drejtorë – ushtrues detyre.
Shkup, 29 dhjetor – Qendra e Kulturës në Tetovë për momentin drejtohet nga një drejtor ushtrues detyre në dorëheqje. Konkursi i fundit për zgjedhjen e drejtorit të këtij institucioni ka dështuar, gjë që detyron drejtuesin aktual ta zgjasë mandatin deri në ditët e fundit të vitit. Fatlind Ajdini, drejtor prej dy muajsh, pohon se nuk ka qenë i interesuar të konkurrojë për këtë post. Në konkurs është paraqitur një kandidaturë e cila nuk është miratuar.
“Unë jam drejtor në dorëheqje edhe pak ditë, sa kanë mbetur nga ky vit. Se kush do ta drejtojë institucionin do të zgjidhet nga Ministria e Kulturës, pasi situata u komplikua me konkursin e fundit. Konkursi tjetër besoj se do të shpallet vitin e ardhshëm”, thotë Ajdini.
Qendra e Kulturës në Tetovë prej disa vitesh udhëhiqet nga drejtorë të komanduar, mandati i të cilëve është zgjatur disa herë rresht. Ndryshimet më të mëdha sa i takon titullarëve janë këto dy vitet e fundit ku janë ndërruar tre drejtorë, ushtrues detyre. Skandali që po hetohet lidhur me abuzimet financiare për projektin Teatri dhe Biblioteka e Tetovës nga Gjykata Themelore në Shkup, ka vënë në vështirësi ato që do të duhet të drejtojnë Qendrën e Kulturës, e cila ka nën kompetencat e veta punimet për këtë objekt. Por përveç aferës abuzive, ecuria e projektit për vitin e ardhshëm është vënë në pikëpyetje nga vetë shuma që Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka planifikuar për 2025, duke reduktuar në formën më të mundshme drastike mjetet financiare për të.
Në dokumentin “Propozim-buxheti i vitit 2025”, Ministria e Kulturës ka akorduar jo më shumë se 15 milionë denarë për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës, duke devijuar mbi 20 fish më pak nga shuma e parashikuar për vitin 2025 që duhej të ishte 300 milionë denarë. Kostoja totale e objektit duhet të jetë 1.450.000.000 denarë. Për këtë vit u vunë në dispozicion 200 milionë denarë dhe parashikoheshin që për vitin 2025 – të akordoheshin 300 milionë denarë, ndërsa për 2026 – 330.500.000 denarë
“Kjo shumë është shumë pak, ose asgjë. Nuk na kanë dhënë shpjegime në MKT, por në vend në 15 milionëve u kërkova që të mos akordonin asgjë. Pavarësisht gjithçkaje punimet për realizimin e projektit duhet të ecin sipas planifikimeve”, thotë Ajdini.
Projekti për ndërtimin e kompleksit kanë nisur prej dhjetë vjetësh, duke e vendosur këtë projekt prej vitesh në pritje. Godina – Teatri dhe Biblioteka do të ketë edhe dy salla, sallën e vogël dhe sallën e madhe, ndërsa biblioteka do të ketë dy kate, njëri është paraparë për lexuesit e vegjël dhe tjetri për të gjithë qytetarët, si edhe rreth 130 vende për parkim, kinema që i mungon qytetit të Tetovës. (koha.mk)
BURIMI: zhurnal.mk