Qëlloi drejt protestuesve në 21 janar, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi jep 3 orë e gjysmë llogari në SPAK!

min lexim

Pasi SPAK nisi hetimet për 21 janarin, ish-komandanti i Gardës Ndrea Prendi ka dhënë sot llogari për 4 vrasjet në Bulevard për rreth 3 orë e gjysmë. Pritet fletëthirrje për ish-ministrin e Brendshëm Basha dhe ish-kryeministrin Berisha, për të cilët SPAK do zbardhë rolin në vrasjet shtetërore të 21 janarit.

Në Prokurorinë e Posaçme në Tiranë puna për zbardhjen e një prej krimeve më të rënda në historinë e vendit, 4 vrasjet shtetërore të 21 janarit, është intensive ndërsa për rreth 3 orë e 30 minuta është pyetur këtë të martë një prej protagonistëve kryesorë, ish-kreu i Gardës në janarin e vitit 2011, Ndrea Prendi.

Ndrea Prendi, për të cilin është vërtetuar me vendim gjykate se me armën e shtetit i ka marrë jetën të paktën njërit prej të vrarëve Faik Myrtajt, nuk pranoi të jepte detaje për mediat para SPAK. Burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi bëjnë me dije se Prendi ka pak ditë që ka mbërritur nga Kanadaja në Shqipëri. 

Do vini sërish në SPAK?

Ndrea Prendi: Sa herë të na thërrasin.

Për 21 janarin?

Ndrea Prendi: Për çdo gjë

Ish kreu i Gardës së Republikës në kohën kur Sali Berisha qeveriste është një prej personave kyç për zbardhjen e krimit shtetëror të 21 janarit, sidomos në drejtim të asaj që kërkon Gjykata e Strasburgut, kush urdhëroi vrasjet dhe të gjitha tentativat për pengimin e drejtësisë. Për zbardhjen e ngjarjes, sot SPAK mori në pyetje Prendin, i cili është pyetur mbi rolin e tij, përse u qëllua drejt protestuesve dhe rolin e Berishës e Bashës.

Në një audio të publikuar, të cilin familjarët e Aleks Nikës pritet ta dorëzojnë në prokurori, Prendi dëgjohet në komunikimin me vartësit e tij gardistë të flasë për urdhra për të qëlluar mbi protestuesit.

Vetëm një vit burg ka bërë Ndrea Prendi, pasi është dënuar 1 për vrasjen e Faik Myrtajt, që sipas drejtësisë së vjetër shqiptare ishte nga pakujdesia. Ai dyshohet se është vrasësi edhe i Aleks Nikës, familjarët e të cilit kërkojnë drejtësi prej 13 vitesh. Ndërkohë që pa autor mbetet edhe vrasja e Hekuran Dedës.

Vrasja e Nikës është pa autor pasi drejtësia shqiptare s’ka mundur të faktojë se nga cila armë u qëllua. Predha që iu hoq viktimës nga trupi në Turqi, ishte shtypur e dëmtuar në atë masë sa ishte bërë e pa ekspertueshme. Nga hetimet e prokurorisë, ka rezultuar se nga pistoleta ‘Beretta model 92-FS me numer P52796Z’, në përdorim nga Komandanti i Gardës asokohe Ndrea Prendi, është qëlluar 11 herë. Ndërkaq, vetëm një herë është qëlluar me pistoletën me armën në përdorim nga shoferi i Prendit. Sipas hetimeve, tyta e pistoletës së Ndrea Prendit është ndryshuar me tytën e pistoletës së shoferit të tij.

Pas Ndrea Prendit në shkallët e SPAK për të dhënë llogari për rolin e tyre me 21 janar pritet të paraqiten edhe ish Kryeministri Berisha dhe ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Prokuroria e Posaçme po heton 21 janarin si vrasje shtetërore ndërsa akuzat regjistruara janë shumë të rënda: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.

Drejtësia shqiptare ka dhënë vetëm 4 vite burg në total për 2 jetë të ndërprera, Faik Myrtajn dhe Ziver Veizin, në mes të bulevardit në demonstratën e 21 janarit, duke i konsideruar ato vrasje nga pakujdesia.

Story i mëparshëm

Presidentja Vjosa Osmani: Jeff Bieleyn, mik i madh i Kosovës.

Story i radhës

Trump do të takohet me Netanyahun gjatë kësaj jave

Të fundit nga