Qarqe të caktuara nacionaliste me direktiva të Moskës e Beogradit, po tentojnë të nxisin konflikt dhe destabilizim në Maqedoninë e Veriut dhe për këtë kanë pritur derisa në Qeveri të vijnë shqiptarë të dëgjueshëm, akuzoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi në edicionin e sotëm të DailyClick. Sipas tij, VLEN-i në Qeveri nuk ka fuqi të reagojë për këto politika sepse, siç thotë, aty kanë hyrë pa legjitimitetin e popullit.
“Qarqe të caktuara nacionaliste maqedonase kanë pritur ditë të mira për ta. Të motivuar nga Beogradi, Budapesti, nga Moska, me një ndikim të fuqishëm edhe Moskovit këtu, këtë s’mund ta mohojmë. Ata nuk dëshirojnë që në Maqedoni të ketë stabilitet. Ata nuk dëshirojnë që Maqedonia të mos manifestojë një demokraci funksionale multietnike. Të mos jetë e tillë. Dhe kanë pritur moment të përshtatshëm, dhe ky është momenti i përshtatshëm ku në Qeveri ke një parti politike e cila kur t’i teket u thonë “rruga e mbarë, derën e keni hapur, dilni nga qeveria”, pohoi Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.
Megjithatë tregimin e derës për VLEN-in nga ana e Mickoskit, Ademi nuk e ka mirëpritur. Thotë se përpos se për Snopçen, kjo paraqet nënçmim edhe për shqiptarët.
“Por ama VMRO-DPMNE duhet ta ketë të qartë se një qasje e tillë me kushtëzime, shantazhime, arrogancë, tregim të muskujve, supremacisë, dominancës, nuk mund të qeverisë në RMV në vitin 2024. Për arsye se shqiptarët janë element shtetformues dhe përbëjnë 1/3 e popullsisë dhe ajo fyerje ndaj z.Snopçe nuk i adresohet vetëm z.Snopçe, por unë e mar edhe fyerje ndaj meje dhe gjithë shqiptarëve”, pohoi Arbër Ademi, nënkryetar i BDI-së.
Sipas Ademit, të gjitha veprimet e deritanishme duke përfshirë ligjin për gjuhët, shfuqizimin e përkohshëm të balancuesit, përplasjet për përdorimin e flamurit në mbledhjet brendapartiake në qeveri e ligji për branitellat, janë me diktat politik të partive maqedonase, ndërsa përfaqësuesit e VLEN i quan kukulla në eksekutiv.
Burimi: tv21