Kreu i inteligjencës ushtarake të Ukrainës deklaron se lufta me Rusinë po shkon aq mirë për Ukrainën, sa do të arrijë një pikë kthese nga mesi i gushtit dhe do të përfundojë deri në fund të vitit.
Ky është parashikimi më preciz dhe më optimist nga një zyrtar i lartë ukrainas deri më tani.
Në një intervistë për Sky News, gjeneralmajor Kyrylo Budanov tha gjithashtu se një grusht shteti për të hequr Vladimir Putin tashmë është duke u zhvilluar në Rusi dhe udhëheqësi rus është i sëmurë rëndë me kancer.
Ekipi i Sky News ishte në zyrën e gjeneralit, që e përshkruan si një ambient të errët dhe të mbushur me mjete lufte dhe spiunazhi, thasë me rërë të grumbulluara në dritaret e saj, mitralozë të grumbulluar në dysheme dhe një karikator pushkësh rezervë në tryezën e tij.
Ai është jashtëzakonisht i ri për të udhëhequr agjencinë e inteligjencës ushtarake të vendit, vetëm 36 vjeç. Tregoi pak emocione gjatë intervistës dhe buzëqeshi vetëm një herë, ku tha në anglisht: “Unë jam optimist”.
Gjenerali Budanov parashikoi saktë se kur do të ndodhte pushtimi rus kur të tjerët në qeverinë e tij ishin publikisht skeptikë dhe tani thotë se është i sigurt për parashikimin e fundit të luftës.
“Pika e kthesës do të jetë në pjesën e dytë të gushtit. Shumica e aksioneve luftarake aktive do të kenë përfunduar deri në fund të këtij viti. Si rezultat, ne do të rinovojmë fuqinë ukrainase në të gjitha territoret tona që kemi humbur, përfshirë Donbasin dhe Krimenë.”
Taktikat e Rusisë nuk kanë ndryshuar pavarësisht nga zhvendosja e saj në lindje, thotë ai, dhe Rusia po vuan humbje të mëdha.
Rusia është vetëm një “turmë njerëzish me armë”
Ai tha se nuk ishte i befasuar nga ngecjet e Rusisë në luftë.
“Ne dimë gjithçka për armikun tonë. Dimë për planet e tyre, pothuajse në kohën kur po bëhen…”
“Europa e sheh Rusinë si një kërcënim të madh. Ata kanë frikë nga agresioni i saj. Ne e kemi luftuar Rusinë për 8 vjet dhe mund të themi se kjo fuqi ruse shumë e reklamuar është një mit. Nuk është aq e fuqishme sa mendohet. Është një turmë njerëzish me armë.”
Forcat ruse janë shtyrë pothuajse në kufirin rreth Kharkiv-it, thotë ai dhe një sulm i fundit ndaj forcave më në jug që përpiqeshin të kalonin Siverskyy Donets shkaktoi dëme të konsiderueshme.
“Unë mund të konfirmoj se ata pësuan humbje të mëdha në trupa dhe armatime dhe mund të them se kur ndodhën sulmet e artilerisë, shumë nga ekuipazhet braktisën pajisjet e tyre“, tha gjenerali Budanov.
‘E pamundur të ndalosh grushtin e shtetit’
Gjenerali Budanov tha gjithashtu për Sky News se disfata në Ukrainë do të çonte në largimin e liderit rus dhe në shpërbërjen e vendit.
“Ai përfundimisht do të çojë në ndryshimin e udhëheqjes së Federatës Ruse. Ky proces tashmë ka nisur dhe ata po shkojnë drejt asaj rruge.”
A do të thotë kjo se po zhvillohet një grusht shteti?
“Po”, u përgjigj ai.
“Ata ecin drejt kësaj rruge dhe është e pamundur të ndalohet”.
Ai pretendoi se Putin është në një “gjendje shumë të keqe psikologjike dhe fizike dhe është shumë i sëmurë”.
“Udhëheqësi rus ka kancer dhe sëmundje të tjera”, thotë ai.
Budanov hodhi poshtë sugjerimet se po përhapte propagandë si pjesë e luftës së informacionit dhe ishte i sigurt për pretendimet e tij.
“Është puna ime, është puna ime, nëse jo unë, kush do ta dijë këtë?”, insistoi ai.
Sky News shkruan se zyrtarët ukrainas kanë hedhur dyshime për mirëqenien mendore dhe fizike të Putinit më parë dhe janë shprehur të sigurt se në fund do ta fitojnë luftën, por deri në këtë intervistë, asnjë nuk ka qenë kaq specifik dhe nuk ka përcaktuar një afat kohor për fitoren, një shenjë e besimit të tyre në rritje në fushën e betejës.