Putini dhe armët bërthamore: Si mund të ndalet ai?

min lexim

Kremlini kërcënon vazhdimisht se do të përdorë armë bërthamore në Ukrainë. A është me të vërtetë Vladimir Putini gati për këtë? Ku janë vijat e kuqe?

Që nga fundi i shtatorit, trupat ukrainase kanë kryer një kundërofensivë të suksesshme në rajonet Kharkiv, Donetsk, Luhansk dhe Kherson. Tensionet po rriten në Kremlin për shkak të humbjeve, ndërsa në mbarë botën po rriten shqetësimet për një përdorim të armëve bërthamore nga Rusia, sepse presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë me këtë mundësi.

Gazeta britanike The Times, duke cituar burime të NATO-s, raportoi se Rusia po përgatit teste me armë bërthamore në Detin e Zi. Një video është shfaqur në internet që tregon një tren ushtarak rus që lëviz drejt kufirit ukrainas dhe dyshohet, se është i lidhur me Drejtorinë e 12-të kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, e cila është përgjegjëse për arsenalin bërthamor të vendit.

Përshkallëzimi i ngadalshëm i Kremlinit

Image

Foto ilustrim

Gerhard Mangott, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Insbrukut, e merr seriozisht rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore ruse. Treni ushtarak dhe nisja e nëndetëses K-329 “Belgorod” mund të jenë mesazhe bërthamore. “Udhëheqja ruse po i tregon Ukrainës dhe qeverive perëndimore se Rusia është e aftë, e ndoshta edhe e gatshme, të përdorë armë bërthamore”, tha Mangott. “Për momentin kjo është vetëm si frikësim. Por Rusia synon të dërgojë një sinjal se Ukraina nuk duhet të vazhdojë ofensivën e saj dhe se Perëndimi nuk duhet të mbështesë më Ukrainën me armë.”

Nëse këto kërcënime nuk e ndalojnë kundërsulmin e Ukrainës, Vladimir Putini mund të kalojë në fazën tjetër. “Si një mesazh i radikalizuar ‘ndalo ofensivën’, Rusia mund të testojë një armë bërthamore taktike mbi Detin e Zi ose në Kamçatka.” Nëse një shpërthim i tillë mbi një zonë të pabanuar nuk e bind Ukrainën dhe ajo vazhdon të rimarrë më shumë zona, Rusia mund të përdorë një armë bërthamore taktike, thotë Mangott. “Kjo nuk do të ndodhë në vijën e parë, por në pjesën e brendshme, në zonat e banuara ukrainase, në zonat urbane.

Image

Eskperti Ralph D. Thiele

Eksperti ushtarak dhe ish-koloneli i Bundeswehrit, Ralph Thiele, beson se nëse një bombë bërthamore ruse mbi një terren të pabanuar nuk ka ndonjë efekt parandalues, Moska mund të përpiqet të sulmojë objektivat politike dhe ekonomike në Ukrainë. “Mund të jetë një shpërthim që dërgon një puls elektromagnetik dhe shkatërron gjithçka që furnizohet me energji elektrike – makina, televizorë, satelitë, kompjuterë, termocentrale – në një hapësirë prej qindra kilometra katrorë. Ky do të ishte një variant.”

Fjalët e forta nga SHBA

Shumica e ekspertëve ndërkombëtarë pajtohen se përdorimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja shkatërruese për Rusinë. “Edhe me një test që në fakt do të shkelte marrëveshjen gjithëpërfshirëse të ndalimit të testeve të ratifikuar nga Rusia, do të kishte sanksione të rënda ekonomike dhe financiare”, shpjegon Mangott.

Image

Prof. Dr. Gerhard Mangott

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, paralajmëroi për “pasoja katastrofike”. Në një intervistë me CBS në fund të shtatorit, ai tha se zyrtarë të lartë amerikanë ia kishin bërë të qartë këtë Kremlinit “drejtpërdrejt, në mënyrë konfidenciale, në nivelin më të lartë”.

Sipas Gerhard Mangott, përgjigja e SHBA-së dhe NATO-s ka të ngjarë të jetë ushtarake. Ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, tha se SHBA dhe aleatët e saj janë gati të shkatërrojnë të gjithë ushtrinë ruse në territorin ukrainas dhe të fundosin flotën ruse në Detit të Zi. Mangott beson se një goditje e tillë do të ishte asimetrike, pra me armë konvencionale: “Putinit nuk i thuhet vetëm se si do të reagojë Perëndimi ndaj përdorimit të një bombe bërthamore, por i thuhet edhe se Rusia më pas do të izolohet globalisht dhe se Kina dhe India gjithashtu do të dënojnë një hap të tillë”.

Potenciali i Kinës

Kina ka mbajtur deri tani një pozicion neutral në luftën në Ukrainë. Në të njëjtën kohë, shumë ekspertë pajtohen se Pekini mund të ndihmojë në parandalimin e Putinit nga nisja e një sulmi bërthamor. Ralph Thiele beson se Perëndimi duhet të bëjë më shumë për ta bërë Kinën aleat strategjik. “Putini është i varur nga Kina. Bota do të kishte mundësinë këtu, që me ndihmën e Kinës të arrijë një armëpushim si hap i parë.”

Image

Joe Biden

Megjithatë, sipas ekspertit, Perëndimi nuk duhet të bëjë presion ndaj Kinës për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Kjo nuk do të ishte e dobishme për Pekinin. Kina është e interesuar t’i japë fund luftës në Ukrainë, kryesisht për arsye ekonomike. Vendi gjithashtu nuk dëshiron që lufta të përshkallëzojë në një luftë bërthamore. “Politikanët tanë në të vërtetë duan ta mbajnë Kinën jashtë Evropës, sepse ata mendojnë se do të jetë mjaft e vështirë për t’u përballur me Kinën në ekonominë dhe gjeopolitikën globale në të ardhmen. Unë mendoj se ne duhet të kapërdimë të keqen më të vogël, domethënë praninë e pakëndshme dhe më të fortë të Kinës këtu në Evropë”, thotë Thiele. 

Image

Putin

Krimeja: “Vija e kuqe” e Putinit

Sipas Gerhard Mangott, nëse paralajmërimet nga Uashingtoni do të kenë një efekt parandalues ​​varet nga rrjedha e mëtejshme e luftimeve në Ukrainë. Sipas ekspertit, përpjekja e ushtrisë ukrainase për të rifituar Krimenë mund të bëhet një “vijë e kuqe” për Vladimir Putin. “Nuk mund ta imagjinoj se ai do të qëndronte duarkryq dhe do të shikonte Ukrainën të rimarrë Krimenë. Kjo do ta rrezikonte pozitën e tij në mënyrë të menjëhershme dhe do të sillte rrëzimin. Pyetja kryesore është, nëse Putini do të jetë gjakftohtë dhe i fiksuar sa të përdorë edhe armë bërtharmore për të shmangur humbjen”, tha Mangott. “Kam frikë se Putini është mjaft gjakftohtë dhe i fiksuar sa të bëjë këtë. Por ka të paktën disa shpresa se urdhri i tij për të përdorur armë bërthamore nuk do të zbatohet nga ata që duhet ta zbatojnë atë.”

Por aktualisht nuk ka shenja se udhëheqja ruse ka vendosur të përdorë armë bërthamore, thekson Gerhard Mangott. “Ne nuk jemi ende në këtë pikë. Nuk jemi ende në fazën kur Rusia rrezikon ta humbasë këtë luftë në mënyrë katastrofike. Por me çdo humbje që Rusia pëson në fushën e betejës, me çdo ripushtim të territoreve të kontrolluara nga Rusia nga ushtria ukrainase, mund të rritet probabiliteti i një skenari të tillë”./DW

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Vazhdon gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës

Story i radhës

Ariana në këtë mënyrë e dobëson barkun

Të fundit nga