Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, e ka uruar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ku i ka shprehur edhe zotimin e tij se në vitin 2023 do të vazhdojë të zhvillojë partneritetin mbi parimet strategjike ruso-serbe, njoftoi Kremlini në uebsajtin zyrtar.
Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, siç thuhet në urim, gjatë vitit 2022 janë zhvilluar progresivisht: “bashkëpunimi praktik në tregti, sfera ekonomike dhe humanitare-kulturore është fuqizuar, është thelluar dialogu konfidencial dhe koordinimi për ngjarjet rajonale dhe ndërkombëtare”.
“Llogaris në faktin se përpjekjet tona të përbashkëta do të kenë sukses në garantimin e rritjes së mëtejme të marrëdhënieve tona konstruktive për benifitin e popujve tonë vëllazëror të Rusisë dhe Serbisë”, thuhet në urimin e Putin ndaj Vuçiç.
Kujtojmë se që nga 24 shkurti kur Rusia pushtoi Ukrainën, vetëm Serbia me Bjellorusinë nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Serbia, ndonëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku njëra nga obligimet kyçe në këtë proces e ka harmonizimin e politikave të jashtme dhe të sigurisë me ato të BE’së, ka refuzuar të sanksionojë Rusinë.
Arsyet e artikuluara për mosvendosjes e sanksioneve kanë qenë të ndryshme, prej mbështetjes ruse në Këshill të Sigurimit kundër Kosovës, në opinionin publik serb ku 80 përqind e tyre llogariten të jenë mbështetës të Rusisë, e deri te thirrjet për lidhje historike-vëllazërore mes Rusisë dhe Serbisë.
Serbisë i është bëri thirrje në një numër rezolutash të Parlamentit Evropian t’iu bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë, ku në raste edhe është kërcënuar me pezullin të procesit negociator për anëtarësim në BE.
Deri më tani, Serbia e ka shmangur këtë temë, teksa ka thënë edhe se përfundimisht nuk do të vendos sanksione ndaj Rusisë, përveç nëse, siç ka thënë Vuçiç, dëmi për Serbinë të jetë i papërballueshëm.