Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se bashkëpunimi midis vendeve të Komonuelthit të Shteteve të Pavarura (CIS) për çështjet e sigurisë dhe stabilitetit është i rëndësishëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Putin foli në takimin tradicional jozyrtar të krerëve të shteteve të vendeve të CIS në Shën Petersburg, ku theksoi se vështirësitë dhe kërcënimet po shtohen çdo vit.
“Unë besoj se thellimi i bashkëpunimit në CIS është në interes të popujve tanë, do të ndihmojë në zgjidhjen më efektive të problemeve të zhvillimit socio-ekonomik dhe do të forcojë stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, tha Putin.
Duke tërhequr vëmendjen për rëndësinë e bashkëpunimit midis vendeve të CIS për sigurinë dhe stabilitetin, Putin tha: “Një nga fushat kryesore të bashkëpunimit midis vendeve të CIS është ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë të përbashkët euroaziatik. Për fat të keq, vështirësitë dhe kërcënimet në këto fusha, sidomos nga jashtë, po shtohen çdo vit, por e rëndësishme është që ne jemi gati për bashkëpunim”.
Ai tha se vëllimi tregtar midis Rusisë dhe vendeve të CIS u rrit me 6,6 për qind në 11 muajt e vitit 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe arriti në 81,5 miliardë dollarë. Putin theksoi se deri në fund të vitit vëllimi do të arrijë në 100 miliardë dollarë.