Moska i konsideron armët bërthamore si një mjet mbrojtjeje ose faktor parandalues dhe e kupton rrezikun që ato paraqesin, tha presidenti rus Vladimir Putin, raporton Anadolu Agency (AA).
“Strategjia jonë e përdorimit të mjeteve të mbrojtjes dhe ne i konsiderojmë armët e shkatërrimit në masë, armët bërthamore, si një mbrojtje, e gjitha ngrihet rreth të ashtuquajturit sulm kundërpërgjigjës – domethënë, kur dikush kryen një sulm ndaj nesh, ne i japim përgjigjen”, tha Putin në një takim me Këshillin Rus për të Drejtat e Njeriut në Moskë.
“Ky është natyrisht faktor parandalues, jo faktor që përshkallëzon konfliktin. Shpresoj që të gjithë ta kuptojnë këtë”, shtoi presidenti rus.
“Ne nuk jemi çmendur. E kuptojmë se çfarë janë armët bërthamore”, tha ai.
Putin tha më tej se ish-kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss kishte thënë publikisht se ishte e gatshme të përdorte armë bërthamore dhe askush nuk e vuri re këtë, por kur Rusia reagoi, u tregua si një përpjekje për të frikësuar botën.
Putin shtoi se ndryshe nga SHBA-ja, të cilat kanë arsenale të mëdha bërthamore në Evropë, Rusia po kryen një politikë bërthamore më të përgjegjshme dhe nuk i transferon armët e saj bërthamore në vende të tjera.
“Të ashtuquajturat armë bërthamore ‘taktike’ amerikane janë të vendosura në numër të madh në territorin evropian. Ne nuk ia kemi transferuar askujt armët tona bërthamore dhe nuk po i transferojmë ato. Por, natyrisht, ne do t’i mbrojmë aleatët tanë me të gjitha mjetet në dispozicionin tonë, nëse është e nevojshme”, tha ai.
Burimi: GAZETA.MK