Vladimir Putin ka rindezur sërish alarmin mes liderëve perëndimorë kur iu referua sulmeve bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki gjatë një telefonate rrëqethëse me Presidentin francez, Emmanuel Macron.
Udhëheqësi rus dyshohet se i tha Macronit se bombardimet, që çuan në fundin e Luftës së Dytë Botërore, treguan se nuk “është nevoja të sulmohen qytetet kryesore për të fituar.”
Dy bombardimet amerikane të vitit 1945 vranë midis 129,000 dhe 226,000 njerëz dhe detyruan Japoninë t’i dorëzohej aleatëve.
Paralajmërimi rrëqethës vjen ndërsa Putin shton kërcënimet për përdorimin e një arme bërthamore taktike në Ukrainë për të kundërshtuar humbjet në fushën e betejës.
Sipas burimit, Macron mbeti “dukshëm i alarmuar” nga komenti.
“Dukej si një aluzion shumë i rëndë se Putini mund të shpërthejë një armë taktike bërthamore në lindje të Ukrainës, duke lënë Kievin të paprekur. Kjo dukej se ishte thelbi i komenteve të tij,” thanë ata, sipas Daily Mail.
Një burim i qeverisë franceze tha: “Dy presidentët pa dyshim kanë diskutuar rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore.”
“Putini dëshiron të përcjellë mesazhin se të gjitha opsionet janë në tryezë, në përputhje me doktrinën ruse në lidhje me armët bërthamore.”
Kishte shqetësime se Putini mund të përdorte armët bërthamore pasi forcat ukrainase sulmuan urën e tij që lidh Rusinë dhe Krimenë.
Putin ka paralajmëruar më parë se do të “përdorte të gjitha mjetet që ka në dispozicion” nëse territori rus vihej në rrezik.