Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka bërë të ditur se ai u ofroi mercenarëve të grupit “Wagner” mundësinë për të vazhduar luftën për ushtrinë në një takim vetëm disa ditë pas tentativës së kryengritjes së tyre, por shefi i grupit, Yevgeny Prigozhin, ka refuzuar ofertën e tij, transmeton Anadolu.
“Të gjithë ata mund të mblidheshin në një vend dhe të vazhdonin të shërbenin. Dhe asnjë nuk do të kishte ndryshuar për ta. Ata do të udhëhiqen nga i njëjti person (Prigozhin), i cili ishte komandanti i tyre i vërtet gjatë gjithë kësaj kohe”, tha Putin për të përditshmen ruse “Kommersant”.
Presidenti rus tha se “shumë njerëz tundën kokën” kur dëgjuan ofertën e tij në takimin e Kremlinit më 29 qershor. “Por, Prigozhin, i cili ishte ulur para tyre dhe nuk e pa këtë, tha, pasi dëgjoi, jo djemtë nuk pajtohen me këtë vendim”, shtoi Putin.
I pyetur se çfarë ndodhi në të vërtetë më 24 qershor, kur Prigozhin njoftoi synimin e tij për të përmbysur krerët ushtarakë të Rusisë, Putin tha se “luftëtarët e rangut të lartë të grupit u tërhoqën në këto ngjarje”.
“Nga njëra anë, në një takim me ta, kam dhënë vlerësim për atë që kanë bërë në fushën e betejës dhe nga ana tjetër, çfarë kanë bërë gjatë ngjarjeve të 24 qershorit. Së treti, tregova opsionet e mundshme për shërbime të mëtejshme, përfshirë në zonën e luftës. Kjo është e gjitha”, tha Putin.
Ai shtoi se sa i përket grupit, nuk ka një person juridik të tillë si kompania ushtarake private “Wagner” dhe nuk ka asnjë bazë ligjore për krijimin e tij. “Grupi ekziston, por ligjërisht nuk ekziston. Kjo është çështje në vete që lidhet me legalizimin real. Por, kjo është një çështje që duhet diskutuar në Dumën e Shtetit, në qeveri. Një çështje e vështirë”, tha Putin.
Më 24 qershor, Prigozhin akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë për sulm ndaj luftëtarëve të grupit, shpalli një “Marshim të drejtësisë” dhe u nis drejt Moskës. Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse e cilësoi veprimin e grupit si “rebelim të armatosur” dhe hapi një çështje penale kundër Prigozhinit ndërsa Putini kryengritjen e kompanisë private ushtarake e quajti “akt të tradhtisë”.
Prigozhin më vonë u kthye prapa për të “shmangur gjakderdhjen” dhe që atëherë është zhvendosur në Bjellorusi sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Presidenti bjellorus javën e kaluar tha se shefi i grupit nuk është në Bjellorusi, por në Shën Petersburg të Rusisë. Vendndodhja aktuale e tij nuk dihet.