Putin “kërcënon sërish” – kësaj radhe thotë se do të rrisë gatishmërinë luftarake të forcave bërthamore të Rusisë

Presidenti rus Vladimir Putin është zotuar të rrisë gatishmërinë luftarake të forcave bërthamore të vendit të tij, pasi ai njoftoi një sërë veprimesh për të forcuar mbrojtjen e vendit, duke përfshirë lëshimin në janar të një rakete të re hipersonike.

“Forcat e armatosura dhe aftësitë luftarake të forcave tona të armatosura po rriten vazhdimisht dhe çdo ditë. Dhe këtë proces, natyrisht, ne do ta vazhdojmë”, citohet të ketë thënë Putin në një takim televiziv me zyrtarët e mbrojtjes të mërkurën, shkruan TrtWorld.

Në të njëjtin fjalim, Putin tha gjithashtu se Moska do të fillojë të armatosë marinën e saj me raketa të reja hipersonike deri në janar.

“Duke filluar nga janari, fregata Admiral Gorshkov do të pajiset me raketën e re hipersonike Zircon, e cila nuk ka ekuivalente në botë”, ka pretenduar Putin.

Ndërsa gjatë takimit, ministri i tij i mbrojtjes Sergei Shoigu vuri në dukje se ushtarakët rusë në Ukrainë po luftojnë “forcat e kombinuara të Perëndimit”.

Ai tha se Moska planifikon të përdorë dy qytete portuale të Ukrainës në Detin Azov si baza ushtarake ruse.

“Portet në Berdyansk dhe Mariupol janë plotësisht funksionale. Ne planifikojmë të vendosim bazat e tyre për anijet mbështetëse, shërbimet e shpëtimit emergjent dhe njësitë e riparimit të anijeve të marinës”, shtoi Shoigu.

Gati dhjetë muaj pas luftimeve, Rusia është përballur me një sërë sfidash ushtarake në terren në Ukrainë.

Megjithatë, Putin tha se ushtria ruse duhet të mësojë dhe të rregullojë problemet.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Haxhiu: Qeveria Kurti është dorëzuar përballë Vuçiqit

Story i radhës

Catherine Zeta-Jones: ‘Dashuroj dikë tjetër dhe burri im nuk e ka problem’

Të fundit nga