“Putin gaboi rëndë, disfatë e fuqishme për Rusinë”, Harris në Poloni e Rumani, përqendrim tek hapat kundër Moskës

March 10, 2022
min lexim

Nënpresidentja amerikane Kamala Harris do të vizitojë Poloninë dhe Rumaninë për të diskutuar rreth hapave të ardhshëm për t’iu përgjigjur agresionit rus ndaj Ukrainës, si dhe për t’i siguruar këto vende mbi mbështetjen e Uashingtonit. Zonja Harris do të zhvillojë takime me udhëheqësit e këtyre dy vendeve duke filluar nga dita e enjte.

Polonia dhe Rumania kanë qenë tejet të shqetësuara mbi agresionin e Rusisë në rajon. Ato ndodhen në kufi me Ukrainën dhe po përballen me vërshimin e mijëra refugjatëve drejt territorit të tyre.

Zyrtarë të lartë të administratës thanë se zonja Harris do të përqendrohet tek mënyrat se si anëtarët e NATO-s mund të zbatojnë sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Moskës dhe se si ata mund të qëndrojnë në një linjë e të bëjnë përpara së bashku.

Sipas të njëjtëve zyrtarë zonja Harris pritet gjithashtu të takohet me refugjatë ukrainas në Poloni, si dhe të diskutojë rreth vazhdimit të ndihmës humanitare e mbi sigurinë, për Ukrainën dhe rajonin. Numri i refugjatëve që janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit i ka kaluar të 2 milionët.

Nënpresidentja pritet të diskutojë mbi këto çështje në Varshavë edhe me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, i cili gjithashtu po viziton rajonin.

“Shumë nga diskutimet tona në këto dy kryeqytete do të jenë për caktimin e hapave të ardhshëm… dhe si të bëjmë përpara“, tha një nga zyrtarët.

Vizita në Evropën Lindore vjen pas udhëtimit të zonjës Harris në Gjermani ku mori pjesë në konferencën e Mynihut mbi sigurinë. Ajo u takua atje me aleatë e partnerë të SHBA-ve, mes tyre Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiyy, në një përpjekje për t’i mbajtur aleatët evropianë të bashkuar ndërsa agresioni rus ndaj Ukrainës po bëhej i pashmangshëm.

Vizita e zonjës Harris në këto vende është një shenjë e besimit në rritje të Presidentit Joe Biden në aftësitë diplomatike të zonjës Harris për çështje me ndjeshmëri të madhe. Kjo është gjithashtu një përpjekje e administratës për të menaxhuar nervozitetin mes disa vendeve aleate si dhe për të vazhduar fushatën e Uashingtonit për të izoluar Moskën ndërkombëtarisht, edhe pse Shtetet e Bashkuara po përpiqen të shmangin konfliktin e drejtpërdrejtë me Rusinë.

Të martën, Shtetet e Bashkuara refuzuan një ofertë të papritur nga Polonia për të dërguar avionët e saj luftarakë MiG-29, prodhim rus, në një bazë amerikane në Gjermani, e më pas në Ukrainë, për të përmbushur nevojat e këtij vendi për t’u përballur me agresionin rus.

Zyrtarët e administratës amerikane thanë se dialogu do të vazhdojë për të gjetur mënyrën më të mirë për të ofruar ndihmë për sigurinë në Ukrainë, por ata nuk dhanë detaje se si nënpresidentja planifikon ta trajtojë situatën me Poloninë.

Zonja Harris do ta përdorë udhëtimin për të përsëritur mesazhin se “Putini ka bërë një gabim që do të rezultojë në disfatë strategjike të fuqishme për Rusinë”, tha një nga zyrtarët e administratës.

Kremlini e quan sulmin ndaj Ukrainës një “operacion special” për të çarmatosur Kievin dhe për të rrëzuar ata që i quan, udhëheqësit neo-nazistë të saj.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Puna para orës 10:00 e dëmshme për shëndetin

Story i radhës

831 raste aktive me coronavirus

Të fundit nga

Zbardhen prapaskenat

Një lajm i bujshëm po qarkullon ditët e fundit në mediat italiane për një tjetër mbrojtës që Juventusi mund t’i rrëmbejë Milanit. Këtë herë bëhet fjalë për Fikajo Tomorin i cili mund
ShkoLartë