Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu i shoqëruar nga delegacioni i tij dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi janë pritur në takim nga kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Ky delegacion nga Lezha po qëndron në Kosovë si shenjë falënderimi për pushuesit kosovarë, të cilët kanë qëndruar për pushime verore në këtë zonë të Shqipërisë.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu tha se falë pushuesve kosovarë kanë pasur një sezon turistik të suksesshëm në Lezhë. Derisa shtoi se banorët e Prishtinës kanë pasur një peshë të madhe duke blerë edhe banesa në Lezhë.
Ndërsa për takimin me të parin e kryeqytetit, Ndreu tha se biseduan për disa aktviteteve të përbashkëta.
Ndreu: Banorët e Prishtinës dhanë kontribut të madh për Shqipërinë
“Jemi sot në një tur falënderimi për një sezon turistik të suksesshëm në Lezhë, në Shëngjin e Tale për shkak të pjesëmarrjes së lartë të shqiptarëve të Kosovës. Banorët e Prishtinës kanë pasur një peshë të madhe jo vetëm me prezencën në plazh por edhe me kontribute të tjera duke blerë edhe banesa e duke kontribuar edhe në biznese dhe kemi biseduar për të gjitha pikat e përbashkëta dhe të ndërsjella që Lezha dhe Prishtina se si duhet të nxjerrin në pah dhe si duhet të bashkëpunojnë dhe reklamojnë tek njëra tjetra që turistët të kuptojnë që Shqipëria, Kosova dhe gjithë trojet shqiptare janë bashkë”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se edhe lezhianët mund të ndihmojnë Prishtinën në zhvillimin e hotelerisë.
Rama: Lezha mund të ndihmojë Prishtinën në zhvillimin e hotelerisë
“Biseduam për mundësitë e mëtutjeshme për bashkëpunimin, pra t’i ndihmojmë njëri-tjetrit që sezona turistike në Lezhë e në Shqipëri të zgjerohet mirëpo në të njëjtën kohë që edhe Prishtina dhe Kosova ka mundësi turistike të cilat mund të vizitohen nga lezhianët dhe nga gjithë Shqipëria. Përmendëm festivale të ndryshme që kemi pasur dhe potencialet e mëdha në aspektin e arritur dhe kulturës dhe po ashtu dhe turizmit malor”, tha ai.
Pas këtij takimi, delegacioni nga Bashkia e Lezhës po zhvillon takim me agjencitë turistike në Kosovë.