Pushtimi do të kishte pasoja shkatërruese/ A mundet që diplomacia ta parandalojë luftën Rusi-Ukrainë?

Vetëm duke e menduar mundësinë e një lufte më të gjerë në Ukrainë të rrëqëthet mishi. Nëse Rusia e pushton Ukrainën, mijëra qytetarë mund të vdesin dhe shumë të tjerë mund të largohen për t’i shpëtuar tmerreve të luftës. Kostoja ekonomike do të ishte e rëndë, ndërsa kostoja humanitare shkatërruese.

Megjithatë, Rusia vazhdon të grumbullojë forcat e saj rreth Ukrainës dhe Perëndimi vazhdon të kërcënojë me pasoja të tmerrshme nëse një ushtar rus shkel kufirin.

Pra, a ka një rrugëdalje diplomatike, një dalje paqësore dhe të qëndrueshme nga ky konfrontim?

Diplomatët flasin për një “shteg”, një mënyrë që të gjitha palët të mund të dalin nga rruga drejt luftës. Por gjetja e një rruge të tillë nuk është e lehtë.

Çdo kompromis do ta kishte një çmim. Megjithatë, këtu ka disa rrugë të mundshme që nuk përfshijnë një rezultat ushtarak dhe rrjedhimisht, të përgjakshëm.

Perëndimi mund ta bindë presidentin Putin të tërhiqet

Sipas këtij skenari, fuqitë perëndimore do të pengonin në mënyrë efikase çdo pushtim, duke bindur presidentin rus Vladimir Putin se kostot e luftës do t’i tejkalonin përfitimet që ajo mund të sjellë.

Ai do të ishte i bindur se viktimat në njerëz, sanksionet ekonomike dhe goditjet diplomatike do të ishin aq të mëdha sa ai do të dilte më keq edhe nëse do të bënte përfitime ushtarake në fushën e betejës.

Ai do të duhej të kishte frikë se Perëndimi mund të mbështeste një kryengritje ushtarake në Ukrainë, duke e zhytur kështu në një luftë të kushtueshme për vite me rradhë.

Vladimir Putin duhet të besojë se këto kosto do të reduktojnë mbështetjen e tij të brendshme dhe kështu do të kërcënojnë udhëheqjen e tij.

Sipas këtij skenari, Perëndimi gjithashtu do të duhej të lejonte Putinin të korrte një fitore diplomatike, duke e portretizuar veten si një protagonist paqësor që nuk kishte qenë i gatshëm t’i përgjigjej ushtarakisht provokimeve të NATO-s.

Putini mund të pretendonte se më në fund kishte tërhequr vëmendjen e Perëndimit dhe udhëheqësit e tij po trajtonin ato që ata i quanin “shqetësimet e tij me vend për sigurinë”. Rusia do t’i kishte kujtuar botës se është një fuqi e madhe dhe do të thellonte praninë e saj në Bjellorusi.

Vështirësia me këtë skenar është se do të ishte po aq e lehtë të argumentohej se Putini kishte dështuar. Veprimet e tij do ta kishin bashkuar Perëndimin; do ta kishin shtyrë NATO-n që të lëvizte forcat më pranë kufijve të Rusisë dhe do ta kishin inkurajuar Suedinë dhe Finlandën që të merrnin parasysh anëtarësimin në NATO.

Problemi është se nëse zoti Putin dëshiron të kontrollojë Ukrainën dhe të minojë NATO-n, ka pak arsye pse ai mund të tërhiqet tani.

NATO dhe Rusia mund të bien dakord për një marrëveshje të re sigurie

Fuqitë perëndimore e kanë bërë të qartë se nuk do të bëjnë kompromis mbi parimet thelbësore, si sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës; të drejtën e saj për të kërkuar anëtarësim në NATO, i cili duhet ta mbajë “derën të hapur” për çdo vend që dëshiron të anëtarësohet.

Megjithatë, SHBA-ja dhe NATO-ja kanë pranuar se mund të gjendet baza e përbashkët për çështje më të gjera të sigurisë evropiane.

Kjo mund të përfshijë një ringjallje të marrëveshjeve të skaduara të kontrollit të armëve për të reduktuar numrin e raketave nga të dyja palët; forcimin e masave të ndërtimit të besimit midis forcave ruse dhe NATO-s; transparencë më të madhe mbi stërvitjet ushtarake dhe vendndodhjen e raketave, si dhe bashkëpunim për testimin e armëve kundër sateliteve.

Rusia tashmë e ka bërë të qartë se këto çështje nuk do të mjaftonin për të shuar shqetësimin e saj thelbësor se lejimi i Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n do të kishte një kosto për sigurinë ruse.

Por nëse, për shembull, raketat e NATO-s do të reduktoheshin ndjeshëm, kjo mund të adresonte të paktën disa shqetësime ruse.

Në një farë mënyre, Putini ka bërë tashmë përfitime këtu: Evropa është angazhuar rishtazi në një dialog sigurie sipas kushteve të Rusisë.

Ukraina dhe Rusia mund të ringjallin marrëveshjet e Minskut

Kjo ështe një paketë marrëveshjesh të negociuara në vitet 2014 dhe 2015 në kryeqytetin bjellorus, Minsk, që u krijua për t’i dhënë fund luftës midis forcave qeveritare dhe rebelëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore.

Padyshim që dështoi, pasi luftimet vazhdojnë. Por, të paktën përcaktoi një rrugë drejt një armëpushimi dhe një zgjidhje politike të bazuar në një kushtetutë më federale.

Politikanët perëndimorë kanë sugjeruar që ringjallja e marrëveshjeve të Minskut tani mund të jetë një zgjidhje për këtë krizë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se Minsk-u ishte “rruga e vetme që na lejon të ndërtojmë paqen”.

Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace tha për programin BBC Today se rivendosja e Minskut do të ishte “një mënyrë e fortë përpara për të de-përshkallëzuar”.

Problemi është se dispozitat e marrëveshjes janë të ndërlikuara dhe të kundërshtuara.

Kremlini kërkon që Ukraina të mbajë zgjedhje lokale për të fuqizuar politikanët pro-rusë. Kievi dëshiron që Moska, së pari të çarmatosë dhe të largojë luftëtarët rusë.

Mosmarrëveshja më e madhe është se sa autonomi do t’iu jepte Minsk-u enklavave të shkëputura në Donbas-i. Kiev kërkon vetëqeverisje modeste. Moska nuk pajtohet dhe thotë se Donetsk-u dhe Luhansk-u duhet të kenë një fjalë për politikën e jashtme të Ukrainës dhe kështu një veto mbi anëtarësimin në NATO.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Si ta bëni për vete, 10 veprime të vogla që tregojnë shumë për partneren

Story i radhës

Visar Ganiu: Fuqizimi i gruas në shkencë është ardhmëria e vendit

Të fundit nga