Shkup, 17 Nëntor – Beteja më e madhe për sa i përket vendosjes së themeleve të demokracisë në një shtet është pavarësimi i mediave nga ndikimi politik, vetëm media të lira mund të raportojnë në mënyrë objektive duke përmbushur standardet profesionale gazetareske. Së fundmi në Kuvendin e RMV-së janë bërë disa lëvizje që të shpien drejt asaj që duket se pushteti ka lëshuar “grepin” në drejtim të kapjes së mediave. Kjo mbase mund të jetë vetëm tentim, por që flet qartazi se për çfarë ka nevojë pushteti. Duket shumë absurde financimi i mediave nga qeveria që me automatizëm kufizon veprimin e lirë dhe demokratik, si dhe shuan aktivitetin kritik, shkruan Zhurnal.
Deputetët e shumicës parlamentare propozojnë rikthimin e financimit qeveritar të fushatave publike me interes lokal dhe qendror në mediat private. Pesë deputetë të shumicës me procedurë të shkurtuar parlamentare kërkuan miratimin e ndryshimeve ligjore, të cilat para pesë viteve ndaluan reklamimin qeveritar në media për të mënjanuar ndikimin e pushtetit ndaj mediave të caktuara.
Shumica parlamentare në sqarimin për miratimin e nevojës tha se ndryshimet kërkohen për transparencë më të madhe në përzgjedhjen e fushatave që do të emetohen me qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare.
“Këto ndryshime dhe plotësime të ligjit janë me qëllim që të ketë transparencë më të madhe, mundësi për zgjedhje dhe emetim i fushatave për ngritjen e vetëdijes qytetare. Gjegjësisht me propozim ligjin do të mundësohet siguri më e madhe juridike sa i takon fushatave me interes publik dhe emetimit të tyre”, tha deputeti i LSDM-së, Kole Çarakçiev.
Por sa në të vërtetë rritet në këtë formë vetëdija qytetare?
Ajo çfarë ka thënë deputeti i shumicës parlamentare se një ligj i tillë rrit vetëdijen qytetare, atëherë kur në media sheh fushatë që është e mbështetur financiarisht nga pushteti, kjo mbase tingëllon çuditshëm. Sepse, nëpërmjet një ligji të tillë vetëdija qytetare veçse turbullohet dhe zbehet në drejtim të qytetarisë aktive, që shuhet zëri kritik, dhe nuk ka kuptim ndjekja e mediave.
Kryetari Kuvendit, Talat Xhaferi, angazhoi komisionet amë që të shqyrtojnë propozimin. Financimi i fushatave me interes publik sigurohet nga buxheti me lartësi prej 0.1%. 80% e tyre janë parashikuar për fushata të cilat do të emetohen në televizione nacionale, ndërkaq 20% në mediat rajonale. Kështu 4 milion euro do të shkojnë për fushata me interes publik.
Bëhet fjalë për shuma që janë të favorshme dhe të nevojshme për disa media, mbase secila media ka nevojë për përkrahje, por asesi nga qeveria sepse një përkrahje e tillë nënkupton edhe “prangimin” e asaj media që mos të jetë asnjëherë pjesë e pushtetit të katër për të raportuar për tre pushtet tjera, me fjalë të tjera kjo i detyron mediat të bëhen dirigjent të pushtetit.
Ndërkohë, gjatë viteve 2008 deri në vitin 2015, 38 milion euro para të qytetarëve kanë përfunduar në mediat elektronike dhe të shkruara për fushatë dhe propagandë qeveritare. Kjo mbase është edhe realiteti faktik pse qytetarët sidomos ata shqiptarë e kanë të vështirë të bëjnë ndryshim pushtetesh, sepse pushteti aktual financon media të cilët zhvillojnë propagandë të hatashme pro pushtetit pro qeverisë, vetëm për të siguruar edhe një mandat të vetëm.
Standardet profesionale gazetareske-
Mediat përpos informimit kanë edhe shumë funksione të tjera, si orientimi, edukimi, dhe kritikat ndaj pushtetit. Por, ky funksioni i katër, kritika ndaj pushteti për tu përmbushur në tërësi si i tillë duhet të plotësojë tre kritere të tjera: legjitimiteti etik, profesional dhe pavarësia financiare. Këto kritere janë të parapara sipas standardeve profesionale gazetareske, por që realisht pak prej këtyre respektohen.
Nëpërmjet ligjeve të tilla që qeveria jep mbështetje financiare për media në mënyrë që ato të mbështesin fushata që janë në të “mirë “ të shoqërisë, funksioni kritikues i mediave bie poshtë dhe nuk përmbushet në asnjë mënyrë sepse këtu nuk kemi të bëjmë asgjë më me pavarësi financiare, por kemi të bëjmë me varshmëri të plotë qeveritare.
Prandaj, mediat duhet të jenë sy hapur dhe të dëshmojnë qëllimin e funksionimit të tyre, përndryshe krijohet një përshtypje e mungesës së objektivitetit dhe shndërrohen të gjitha mediat në zëdhënëse të qeverisë. Kjo mbase flet edhe për nivelin e demokracisë.
Media të lira prodhojnë vlera demokratike-
Mediat luajnë rol të jashtëzakonshëm për sa i përket krimit të kushteve demokratike, janë atë që vëzhgojnë në zgjedhje, janë aktiv në fushtatat parazgjedhore duke u mundësuar kandidatëve të pozitave të ndryshme një gar fer dhe demokratike që të fitojë më i miri, janë mediat ato që u mundësojnë qytetarëve që të votojnë saktë dhe drejtë, duke i ofruar përballje direkte e për t’ia lehtësuar më shumë përzgjedhjen dhe vlerësimin adekuat. Mbi të gjitha për të vlerësuar nivelin e demokracisë brenda në një vendi duhet shikuar se sa janë të lira mediat e atij vendi. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk