Një anije e marinës ruse është gjetur e shkatërruar pranë një baze detare në Detin e Zi, pak orë pasi u njoftua për një sulm me dron kamikazë nga Ukraina mbi flotën detare të Moskës pranë portit të Novorossiysk.
Video ku anija, që besohet se është Olenegorsky Gornyak e flotës së luftë-anijeve ruse tërhiqet nga rimorkiatorët është publikuar në rrjetet sociale pak pasi Ministria e Mbrojtjes pretendoi se kishte penguar një sulm ukrainas me dron.
Disa blogerë rusë e identifikuan gjithashtu anijen si Olenegorsky Gornyak. Ndërkohë është publikuar edhe një tjetër video që tregon momentin kur luftëanija ruse hidhet në erë nga një dron.
Videoja prej 36 sekondash, e xhiruar nga vetë droni, tregon se ai i afrohet një anije gjatë natës. Videoja përfundon pikërisht kur droni ndodhet sipër anijes, por CNN që e publikoi i pari atë nuk është në gjendje të verifikojë përfundimisht identitetin e anijes.
Në një deklaratë më herët të premten, Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se dronë kamikazë synonin bazën detare Novorossiysk në provincën Krasnodar, por sulmi u zmbraps nga anijet ruse.
Ministria tha gjithashtu se rrëzoi 10 dronë ukrainas mbi Krime, gadishullin e aneksuar ilegalisht nga Rusia nga Ukraina në vitin 2014. Por, një burim ukrainas konfirmoi për CNN se një operacion i përbashkët kishte në shënjestër anijen luftarake ruse.
“Sulmi ndaj anijeve detare ruse në portin e Novorossiysk të premten u krye në një operacion të përbashkët të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës me Marinën e Ukrainës. Një anije e madhe e marinës, Olenegorsky Gornyak u godit”, tha burimi ukrainas për CNN.
Sipas këtij burimi, një dron detar i ngarkuar me 450 kilogramë eksploziv TNT sulmoi anijen, e cila kishte rreth 100 ushtarakë rusë në bord.
“Si rezultat i sulmit, anija ruse ka marrë dëmtime serioze dhe nuk është në gjendje të përmbushë detyrat e saj”, tha burimi.
Burimi: GAZETA.MK