Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyçi në emisionin “360” në Alsat, ka treguar se cila është arsyeja e rritjes së vajit, derisa ka treguar se deri ku do të shkojë rritja e çmimeve.
“Ajo çfarë është më e rëndësishme është standarti i jetesës së popullatës dhe fuqia blerëse e tyre. Unë e them edhe hapur se ne e shohim, e ndjejmë se fuqia blerëse e qytetarëve bie sepse rritet çmimi. Unë nuk jam nga ata që bënë krahasime nëse çmimet e produkteve janë më të lira në rajon, sepse nuk duhet të krahasohesh sepse fuqia blerëse është e ndryshme edhe në rajon. Ajo çfarë është me rëndësi, është se çfarë ne mund të bëjmë. Fakti që jemi në ekonomi të lirë çdo intervenim shtetëror nuk është konform rregullave të tregut por edhe përskaj asaj, ne bëmë ngrirje të çmimeve, por edhe kjo i ka limitet deri kur. Mendoj se ka arritë maksimumi i çmimeve të produkteve ushqimore dhe parashikimet e mija janë që në fakt nuk do të duhej që të shkonin akoma më tutje për shkak se nuk ka faktorë të cilët do të duhej të nxisnin rritje akoma më të madhe”, tha ai.
“Tek produkti i vajit ka rritje në këtë moment për shkak se kemi shkëputje të zingjirit të ofertës, në fakt të lulediellit, farës së lulediellit ose vajit të parafinuar për të ardhë këtu dhe për ta rafinuar që ta nxjerrim në një kosto më të ulët”, theksoi Bytyçi./ Alsat.mk