30 muaj pas nisjes së ChatGPT, publiku fillon të pyesë me habi: A ishte kaq e gjitha? A ka humbur tashmë magjia e inteligjencës artificiale gjenerative?
Nëse ndjekim vetëm titujt e lajmeve të fundit, mund të krijohet përshtypja se epoka e KI-së (AI) po zbehet. Përmenden “zhgënjimi” dhe “pritshmëritë e tepruara”, ndërsa drejtues të njohur biznesesh shfaqin befas skepticizëm ndaj KI-së, shpesh sepse aksionet e kompanive pësojnë rënie. Por një interpretim i tillë është shumë i cekët dhe nuk e kupton thellësinë e transformimit që po sjell inteligjenca artificiale gjenerative si teknologji bazë në botën e sotme.
Skepticizmi është pothuajse rit i zakonshëm: çdo premtim i madh teknologjik pasohet nga një fazë dyshimi. Por kush mendon se inovacioni ka arritur kulmin, e mat inteligjencën artificiale me standardet e teknologjive të së kaluarës. Ndërkohë realiteti ka shkuar shumë më përpara. Ndërsa shumëkush debaton ende për stilin e drejtimit të Sam Altman-it apo për blerje miliardëshe, kompanitë në prapaskenë janë duke ndërtuar sisteme të reja operative për funksionimin e tyre të brendshëm. Nga një entuziazëm i përkohshëm, KI gjenerative është kthyer brenda vetëm 30 muajsh në pjesë të përditshme të jetës së biznesit. Dhe pikërisht kjo shpejtësi është sensacioni i vërtetë.
Dinamika e KI-së gjenerative nuk ndjek më ciklin klasik të ‘bujës dhe zhgënjimit’. Në vend të pengesave tradicionale si infrastrukturat e ngadalta apo kalimet e mundimshme teknologjike, GenAI mbështetet mbi sisteme të gatshme cloud dhe rrjete të të dhënave globale. Zbatimi nuk ndodh më me ritme të ngadalta, por në një ritëm të shpejtë e të ndërprerë. Sam Altman, si arkitekt i kësaj revolucioni, po e dikton tempin: qasjet falas, integrimi në shfletuesit e internetit dhe së shpejti edhe pajisje të reja që mund të zëvendësojnë smartfonin – të gjitha këto po e demokratizojnë qasjen në njohuritë botërore.
Brenda një viti, numri i kompanive që përdorin KI-në gjenerative në mënyrë strategjike është dyfishuar. Ajo që nisi si eksperiment dy vjet më parë, tashmë është bërë pjesë e strukturave thelbësore të bizneseve. Mjafton të shohim Google. Edhe pse u befasua nga ChatGPT, si gjithë bota, ky gjigant i kërkimeve online ka arritur ta transformojë modelin e tij fitimprurës në epokën e KI-së për një kohë rekord. Për t’u përgëzuar!
Hapi i radhës është tashmë në zhvillim: agjentët autonomë të KI-së po drejtojnë procese dhe po kryejnë detyra komplekse pa ndërhyrje njerëzore. Deri në fund të këtij viti, pritet që një e katërta e kompanive më të avancuara ta përdorin këtë “Agentic AI” në mënyrë produktive. Kjo do t’i ndryshojë edhe një herë rregullat e lojës.
Frika për të mbetur pas në këtë garë teknologjike tashmë ka zëvendësuar drojën e vjetër për shpenzime të kota për “lodra teknologjike”. Avantazhi konkurrues nuk matet më me pyetjen “a përdorni KI?”, por “sa shpejt dhe me sa vendosmëri e përdorni”. Kush heziton tani, nesër do të mbetet spektator. Investimet në KI-në gjenerative po shihen gjithnjë e më shumë si garanci për konkurrueshmëri – jo më si rrezik.
Ajo që dikur dukej si një vegël e zgjuar për email-e më të mira apo sugjerime teksti, është bërë tashmë infrastrukturë për transformimin e bizneseve. Efekti i vërtetë shoqëror dhe ekonomik i kësaj teknologjie do të ndihet fuqishëm vetëm në vitet që vijnë. Kujtoni ata që menduan se elektriciteti do të shërbente vetëm për të ndezur dritat e rrugëve – por 30 vjet më vonë, bota ishte krejtësisht tjetër. Me inteligjencën artificiale gjenerative, ky transformim do të ndodhë shumë më shpejt./ FAZ
Burimi: botasot.info