Shfrytëzimi i platformës së internetit për pagesa elektronike PayPal mbetet sfidë për Kosovën. Guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili ka dhënë disa detaje sa i përket mos anëtarësimit të vendit në këtë platformë.
Përveç kësaj Ismaili ka folur për trendet ekonomike, si dhe për fitimin e bankave komerciale për vitin 2024. Veç këtyre, guvernatori Ismaili flet edhe për integrimin e sistemit bankar në veri.
Një tjetër hap i rëndësishëm për Kosovën, ai thotë se është integrimi i vendit në zonën e pagesave të BE-së (SEPA). Derisa shpreson se Kosova do të arrijë të bëhet anëtare e plotë e SEPA-së në vitin 2025, për çka do të mundësojë kursime prej rreth 55 milionë eurosh në vit për qytetarët dhe bizneset.
Në një intervistë për KosovaPress, Ismaili nënvizon se as në platformën ApplePay nuk ka një progres. Ai thekson se shkaktar i kësaj mungese një kodi shtetëror në databazën e Kombeve të Bashkuara është duke paraqitur sfidë.
“Megjithëse ka pasur një pjesë të zhvillimeve pozitive sa i përket GooglePay. Pra janë tashmë dy banka në Kosovë të cilat kanë arritur që të hynë në platformën e GooglePay. Ende nuk ka një progres në ApplePay dhe në PayPal, kryesisht ende që është shkaktar i kësaj mungese një kodi shtetëror në databazën e Kombeve të Bashkuara është duke paraqitur problem. Këto improvizime që po kryhen janë manuale që megjithatë kanë ndihmuar pak, por ende mbetet kjo çështje për t’u adresuar më tutje. Nëse shikojmë në aspektin e perespektives kemi pritje që do të realizohet, kurse nëse e shikojmë nga aspekti i sotëm, progresi është shumë i limituar në këtë fushë aktualisht”, deklaron Ismaili.
Guvernatori ka folur edhe për situatën financiare në vend, duke theksuar se fitimet e bankave komerciale në Kosovë janë rritur për vitin 2024, kryesisht për shkak të ngritjes së kreditimit dhe zgjerimit të aseteve.
“Sa i përket fitimit të bankave vazhdon të ndjek ritmet e rritjes së vitit paraprak, pra një rritje më e lartë se vitin paraprak, kryesisht për shkak të zgjerimit të aseteve dhe kreditimit. Pra, rritja e fitimit në qoftë se shikohet është në rritje më të ngadaltë se rritja e vet sektorit financiar. Kurse në anën tjetër pjesëmarrja e të hyrave nga tarifat dhe komisionet, pra të hyrat nga jo kamatat ka rënë nga 25 për qind në rreth 21 për qind. Pra tregon që bankat edhe pse po fitojnë, ato po fitojnë nga rritja, zgjerimi i aktivitetit dhe jo nga rritja e normës së kamatës…Fitimi i bankave për këtë periudhe është rreth 168 milionë euro”, deklaron Ismaili.
Guvernatori i Bakës Qendrore të Kosovës, Ismaili ka treguar edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në zonën e pagesave të BE-së (SEPA), që sipas tij është një hap që do të ndihmojë në uljen e kostove të transaksioneve dhe do të ofrojë kursime të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset.
“(SEPA) përben një rendësi absolute për Kosovën, është një prej nismave më të rëndësishme që kanë dalë nga Procesi i Berlinit, po ashtu edhe si nismë e Ballkanit Perëndimor, si zotim i Komisionit Evropian për të përafruar më shumë Ballkanin. Për neve në aspektin financiar ka disa beenfite, ju mundëson kur ne të jemi anëtar në SEPA, mundëson që të kryhen transaksionet me një kosto shumë të ulët, dhe me një efikasisitet shumë të lartë dhe me sigurinë më të lartë… Sipas matjeve nga një ekip gjerman llogaritet rreth 55 milionë euro në vit kursime nga tarifat që qytetarët dhe bizneset nuk do t’i paguajnë kur Kosova të jetë anëtare e SEPA-s… Ne aspirojmë që vitin e ardhshëm të marrim nëse gjithçka shkon në rregull të marrim pëlqimin për përputhshmërinë dhe të hapet mundësia që të jemi pastaj anëtar të barabartë të kësaj zone të pagesave të BE-së”, thotë Ismaili.
Në anën tjetër, ai thotë se një fokus të veçantë, e kanë pasur për të shtrirë numrin e institucioneve financiare në gjithë vendin, përfshirë veriun e vendit. Derisa në këtë drejtim thekson se numri i institucioneve financiare në veri nga 17 sa ishte në shkurt të këtij viti ka kaluar në 38 institucione.
“Sa i përket gjithëpërfshirjes financiare, kemi ndërmarrë një sërë masash që lidhen me edukimin financiar, me mbrojtjen e konsumatorit. Numri i institucioneve të licensuara e rregulluara, mbikëqyra nga BQK është 138 institucione. Mirëpo një fokus i veçantë, e kemi pas edhe një plan konkret për të shtrirë numrin e institucioneve financiare në gjithë vendin, përfshirë veriun e vendit. Pra, numri i institucioneve financiare në veri nga 17 që ishte në shkurt të këtij viti ka kaluar në 38 institucione financiare, kemi një numër tash nga katër banka kemi nëntë banka, kemi nga dy mikrofinanca katër, kompani sigurimi që ishte një kemi katër tani, institucionet jobankare nga 10 është 21. Pra, është një zgjerim substancial i pjesëmarrjes në institucionet financiare në komunat veriore të vendit. Dhe kemi në proces të shqyrtimit kërkesa shtesë për të hapur degë bankare dhe institucione tjera në veri”, nënvizon Ismaili.
Në fund, ai thekson se rritja e remitencave është ngadalësuar për shkak të liberalizimit të vizave, porse thotë se pritet rimëkëmbje në vitet 2025-2026. Sipas BQK-së, remitencat, që përbëjnë një burim të rëndësishëm për ekonominë e vendit, kanë arritur në 1.1 miliardë euro deri në tetor 2024 dhe pritet të përfundojnë vitin në 1.3 miliardë euro.
Burimi: botasot.info