Kur gjejnë simpatinë, gjëja e parë që bëjnë shumica e njerëzve sot është të shohin në rrjetet e tyre sociale. Ndonjëherë kjo kthehet në diçka më shumë, ndaj mund të ndodhë që të na bëhet zakon të kalojmë kohë në profilet e tyre. Një eksperte ka shpjeguar pse kjo nuk është e mirë.
Lisa, një terapiste për familjen, martesën dhe traumat, ka ndarë një opinion interesant në lidhje me rrjetet sociale të partnerëve tanë të mundshëm.
Gjegjësisht, ajo ka shpjeguar pse është e rëndësishme psikologjikisht të shmanget shikimi i profilit të një “partneri potencial” në Instagram. Lisa argumenton se shikimi i postimeve dhe fotografive të dikujt gjatë fazës fillestare të pëlqimit, mund të çojë në mendimin e tepërt për atë se çfarë po bën personi në fjalë dhe me kë po kalon kohë.
“Në fazën fillestare, kur nisni të shikoni profilet e tyre dhe të ‘hyni’ në botën e tyre, ka shumë të ngjarë që do t’ju ‘godasë’ në kokë”, thotë Lisa dhe vazhdon: “Do të filloni të mendoni për gjëra të tilla si: ‘Cila është ajo vajzë?’; ‘Cila i pëlqen?’ dhe ‘Ku ndodhet tani?’”.
Në një profil ku ndan shpesh këshilla për marrëdhëniet, miqësitë dhe shëndetin mendor, Lisa theksoi se për shkak të Instagramit mund të bëhemi shumë të fiksuar pas jetës së dikujt që nuk e njohim plotësisht.
Ajo gjithashtu theksoi se në vend që të studioni profilin e simpatisë tuaj, është më mirë të angazhoheni për kontakte personale, të përpiqeni të dilni dhe ta takoni atë person.
“Njihuni personalisht me atë person, sepse duke analizuar rrjetet e tyre sociale, dëmtoni vetëm veten dhe i jepni atij personi hapësirë shtesë në kokën tuaj dhe kështu vijnë të gjitha ato mendime që na bëjnë të ndihemi të çuditshëm brenda, sillemi çuditshëm dhe nuk na pëlqen se si ndihemi”, ka shpjeguar tutje.
Duke folur për The Independent, Lisa shpjegoi gjithashtu se duke parë profilin e atij personi, mund të hapni edhe disa përvoja të mëparshme, për shembull, nëse keni pasur probleme me besimin, mund të përfundoni duke kërkuar shenja të të njëjtës sjellje në profilin e atij personi.
“Duke mos parë profilin e simpatisë suaj, ju shmangni krijimin e narrativave të brendshme që zakonisht nuk janë të vërteta dhe bazohen në frikën tuaj personale dhe përvojat e kaluara”, ka theksuar më tej.
Meqenëse ndonjëherë është e vështirë që të shmangen mediat sociale, Lisa pranoi se ka disa mënyra për ta bërë këtë.
“Një prej strategjive të shkëlqyera është të mos e shtoni atë person te miqtë tuaj derisa ta takoni për herë të parë. Një qasje tjetër është thjesht të hiqni aplikacionin nga telefoni juaj derisa të mos keni nevojë të qëndroni në profilet e atij personi”, është shprehur ajo.