Kompanitë që merren me inteligjencën artificiale po përballen me një sfidë me të cilën njerëzit janë përballur që nga ekzistenca e tyre: si të ruajnë kujtimet.
OpenAI, Google, Meta dhe Microsoft janë përqendruar muajt e fundit në memorien, duke njoftuar përditësime që u mundësojnë chatbot-ëve të ruajnë më shumë informacione për përdoruesit, në mënyrë që t’u japin përgjigje më të personalizuara.
Ky hap konsiderohet si një zhvillim i rëndësishëm për të ndihmuar grupet kryesore në fushën e inteligjencës artificiale të tërheqin përdorues në një treg konkurrues të chatbot-ëve dhe agjentëve, si dhe si një mjet për të gjeneruar të ardhura nga teknologjitë më të avancuara.
Megjithatë, kritikët kanë paralajmëruar se ky zhvillim mund të keqpërdoret për të shfrytëzuar përdoruesit për qëllime komerciale dhe se mund të shkaktojë shqetësime lidhur me privatësinë, shkruan Financial Times.
Identifikimi i kontekstit nga të dhënat e jashtme
Organizatat që merren me inteligjencën artificiale gjithashtu kanë përmirësuar memorien afatgjatë të modeleve AI duke ruajtur profilet dhe preferencat e përdoruesve, për të ofruar përgjigje më të dobishme dhe më të personalizuara.
“Nëse ke një agjent që të njeh vërtet, sepse ka mbajtur mend bisedat, e gjithë shërbimi bëhet më tërheqës, dhe kur fillon të përdorësh një produkt të tillë, nuk kalon më te një tjetër,” tha Pattie Maes, profesoreshë në Laboratorin e Medias në MIT dhe eksperte për ndërveprimin mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale.
Chatbot-ët me inteligjencë artificiale si Gemini i Google-it dhe ChatGPT i OpenAI-t kanë shënuar përparime të mëdha.
Përmirësimet përfshijnë zgjerimin e dritares së kontekstit, që përcakton sa shumë biseda mund të mbajë mend një chatbot njëkohësisht, si dhe përdorimin e teknikave si gjenerimi për të identifikuar kontekstin përkatës nga të dhënat e jashtme.
Burimi: botasot.info