Pse fundi i luftës në Ukrainë është ende shumë i largët

May 19, 2022
min lexim

Vladimir Putin nuk pati asnjë fitore për të cilën mund të kremtonte në Ditën e Fitores. Përkundrazi, udhëheqësi rus është përfshirë në një luftë të përgjakshme, pa një fund të qartë dhe gjithnjë e më poshtërues për ushtrinë ruse.

Përpara fjalimit të tij të madh në ceremoninë përkujtimore të fitores në Luftën e Dytë Botërore në Sheshin e Kuq, presidenti rus kishte 3 opsione, dhe asnjëri prej tyre nuk ishte e mirë. Ai mund të niste përfundimit të luftës në Ukrainë, gjë që do të përfshinte pranimin se Rusia kishte dështuar të arrinte shumicën e objektivave të saj.

Ai mund të përpiqej të mblidhte rreth vetes forcat e armatosura dhe kombin, por duke mos njoftuar asnjë ndryshim të madh të politikës së tij. Ose mund ta përshkallëzonte situatën, me fjalë ose me vepra – duke shpallur ndoshta një mobilizim ushtarak të përgjithshëm që e imponon gjendja e luftës, ose duke lënë të kuptohet mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore.

Në këtë rast, Putin zgjodhi opsionin e dytë, që tregon shumë qartë se në çfarë situate delikate ndodhet aktualisht. Ai nuk ka një rrugë të shpejtë drejt fitores. Por nga ana tjetër humbja është e papranueshme.

Duke e etiketuar edhe një herë si “neo-naziste” qeverinë ukrainase, Putini u mbështet tek një retorikë që në pamje të parë duket sikur i jep të drejtë. Tek e fundit, si mund të bëhet kompromis me fashizmin? Por Putin nuk është i vetmi lider që këmbëngul se ai po lufton si në Luftën e Dytë Botërore.

Në fjalimin e tij me rastin e 9 Majit, Ditës së Fitores, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë për përsëritjen e “krimeve të tmerrshme të regjimit të Hitlerit”.

Lufta e Dytë Botërore i bën jo pak jehonë konfliktit aktual, duke pasur parasysh angazhimin e madh të SHBA-së dhe aleatëve të saj në krah të Ukrainës.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben ëallace, e akuzoi së fundmi Rusinë si një shtet që “pasqyron fashizmin e viteve 1930”. Një paketë e re e madhe e ndihmës prej miliarda dollarësh për Ukrainën, e cila u miratua së fundmi nga Kongresi Amerikan, u quajt “Akti i Huadhënies për Mbrojtjen e Demokracisë në Ukrainë”.

Ai ishte evokim i qëllimshëm i Aktit të Huadhënies nga Amerika i vitit 1941 – përmes të cilit SHBA i dërgoi shumë armë Britanisë për të luftuar ndaj nazistëve. Situata aktuale, në të cilën të dyja palët e kanë bindur veten – deri në një farë mase – se po luftojnë kundër nazistëve, bart një rrezik të dukshëm.

Kjo qasje e bën shumë më të vështirë kompromisin apo gjetjen e një zgjidhje paqësore. Hitlerit nuk iu dha një rrugëdalje. Lufta e Dytë Botërore përfundoi me tanket ruse që mësynë në Berlin dhe Hitlerin të vdekur në bunkerin e tij. Por Gjermania naziste nuk kishte armë bërthamore.

Një luftë deri në fundin e njërës apo tjetrës palë është e vështirë të imagjinohet në një epokë bërthamore, pasi “përfundimi” mund të ishte Apokalipsi, fundi i botës. Por realiteti është se nën retorikën e ndërsjelltë se po luftohen “nazistët”, ka disa shenja se të gjitha palët e kanë pranuar tashmë se nuk është e mundur një “fitore totale”.

Kremlini i ka përshtatur me rrethanat në terren qëllimet e tij në këtë luftë. Qëllimi i hershëm i pushtimit të Kievit dhe rrëzimit të qeverisë ukrainase është braktisur, ose të paktën është shtyrë për një kohë të pacaktuar. Madje Rusia e ka shumë të vështirë që të arrije edhe qëllime më minimale për pushtimin e rajoneve Donetsk dhe Luhansk.

Përballë kësaj situate, Putin mund të vendosë që t’i japë fund konfliktit – pasi të ketë marrë njëfarë angazhimi për “de-nazifikimin” imagjinar në Ukrainë, dhe garanci për neutralitetin e saj. Zelensky ka sinjalizuar tashmë se do ta pranojë neutralitetin, në këmbim të njëfarë garancie perëndimore për sigurinë e vendit të tij.

Por siç e shohin zyrtarët e lartë në Uashington, problemi qendror është tani territori. Putin nuk mund të pranojë ende një marrëveshje paqeje, në të cilën rusët nuk fitojnë absolutisht asgjë, në këmbim të mijëra ushtarëve të vdekur dhe të plagosur.

Por nga ana tjetër, Zelensky nuk mund të pranojë një marrëveshje paqeje që përfshin lëshimin e territoreve të tjera ukrainase, përveç Krimesë. Ndërsa Rusia po lufton, në aleancën perëndimore ka një tundim në rritje për të pasur synime më të mëdha në këtë konflikt.

Linja zyrtare e SHBA-së, është se qëllimet e Amerikës mbeten të njëjta me ato të 24 shkurtit, kur Rusia nisi pushtimin e saj. Synimi qendror është të ndihmojë Ukrainën t’i rezistojë agresionit rus dhe të mbijetojë si një shtet i pavarur.

Por në Uashington, Londër dhe kryeqytete të tjera, të tilla si Varshavë, ka edhe zëra me ndikim, të cilët tani shohin një mundësi të artë për ta “nxjerrë Rusinë nga skena botërore”, siç shprehet një ish-zyrtar amerikan. Ky lloj mendimi u pasqyrua në fjalimin e muajit të kaluar të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, se tani Amerika po synon ta “dobësojë përgjithmonë Rusinë”.

Arritja e këtij synimi do të ishte padyshim një fitore e madhe gjeopolitike për Perëndimin. Pasi do të reduktonte kërcënimin e sigurisë për Evropën, do të dobësonte ndjeshëm aleatin më të rëndësishëm të Kinës, dhe do t’i jepte besueshmëri të re këmbënguljes së presidentit Joe Biden se “Amerika është kthyer në skenën globale”.

Por zbatimi i hapur i politikës së një “Rusie të dobët” përmban gjithashtu edhe rreziqe të mëdha. Ajo rrit rreziqet e përshkallëzimit të konfliktit, duke përfshirë edhe mundësinë e një lufte bërthamore.

Po ashtu ajo rrezikon të vërtetojë narrativën e Kremlinit, se lufta në Ukrainë ka qenë e detyruar nga armiqësia e NATO-s kundër Rusisë, dhe nuk është një agresion i Rusisë ndaj Ukrainës. Nga ana tjetër, kjo mund të dobësojë mbështetjen ndërkombëtare për përpjekjet e SHBA-së për ta izoluar Rusinë.

Duke i ditur të gjitha këto, Shtëpia e Bardhë po përpiqet që të ruajë “disiplinën” e mesazheve që dalin nga aleanca perëndimore. Përshkallëzimi i retorikës, nuk rrezikon vetëm përshkallëzimin në fushën e betejës. Ajo e bën gjithashtu edhe më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes.

Realiteti është se për të gjitha diskutimet mbi nazistët dhe huadhënien, analogjia më e afërt është lufta afgane, ku gjatë një dekade, SHBA-ja dhe aleatët e saj mbështetën afganët që luftonin kundër ushtrisë pushtuese ruse.

Madje disa zyrtarë perëndimorë kujtojnë luftën e llogoreve të viteve 1914-1918, ku të dyja palët luftuan për vite me radhë nëpër një vijë të gjerë fronti. Përfundimi i zymtë, është se fundi i kësaj lufte është ende shumë i largët.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

​PE miraton raportin për Shqipërinë, Santos: Koha për të avancuar në negociata

Story i radhës

Parlamenti Europian miraton raportin për Maqedoninë e Veriut

Të fundit nga

Видеолотарија Касинос Австрија спонзор на кошаркарски клуб Струмица

Видеолотарија Касинос Австрија со нова спортска поддршка, како дел од нашата визија за модерна и општествено одговорна компанија. Со задоволство споделуваме дека сме спонзор на кошаркарскиот клуб Струмица. Видеолотарија Касинос Австрија во

Gresa, Rovenës: Na ofendove dhe na bullizove

Debat mes Rovenës dhe Gresës ka pasur edhe mbrëmjen e djeshme. Gresa akuzoi Rovenën për ofendime dhe bullizëm ndaj saj dhe banorëve. “Na fyeve, na ofendove na bullizove, kështu fol ti”, i
ShkoLartë