Leximi është një nga shtyllat kryesore të edukimit, por raportet e fëmijëve me librin ndryshojnë me moshën dhe sipas studimeve, rreth moshës 9-vjeçare ata pësojnë rënien më drastike të këtij interesi.
Por, çfarë ndodh saktësisht?
Ky trend nis nga klasa e tretë dhe e katërt, pra mosha kur pikërisht fëmijët ndalojnë së lexuari libra për kënaqësi. Në raportin “Scholastic Kids & Family Reading”, studiuesit zbuluan se dëshira për lexim bie ndjeshëm (me 35%) rreth moshës 9-vjeçare, krahasuar me grupmoshat e tjera. Fëmijët e kësaj moshe lexojnë më pak se pesë herë në javë sipas këtij raporti.
Pse ka rëndësi leximi?
Ekspertët besojnë se një fëmijë që lexon libra bëhet në të ardhmen një njeri i suksesshëm, si në shkollë, ashtu edhe në jetë. “Të lexosh për kënaqësi është një tregues i suksesit të ardhshëm të një fëmije,” thotë Brenna Connor, analiste e industrisë së librave. Aftësitë e leximit deri në fund të klasës së tretë janë të lidhura gjithashtu edhe me arritje më të larta akademike. Përtej qasjes së shkollimit, leximi për kënaqësi është një proces i këndshëm.
“Ekziston një lidhje midis leximit për dëshirë dhe mirëqenies së përgjithshme, ku fëmijët që lexojnë kanë më shumë shanse që të jenë më të lumtur me kalimin e viteve, krahasuar me ata që nuk lexojnë,” shton Connor.
Pra, pse po ndodh ky fenomen?
Ka disa faktorë të mundshëm që ndikojnë në këtë situatë. Si fillim, gjetja e librave të duhur për këtë grupmoshë, sidomos gjatë pandemisë së Covid 19 dhe periudhës së karantinës, ndikoi negativisht në dëshirën për lexim. Një tjetër arsye është edhe leximi nën presion, i cili mund të ketë ardhur si rezultat i mësimit online.
Dy faktorë të tjerë që ndikojnë sipas ekspertëve janë: Teknologjia dhe rrjetet sociale.
“Me pajisjet inteligjente, fëmijët kërkojnë në mënyrë aktive dopaminën e videolojërave. Ata zgjedhin këtë mënyrë kënaqësie kundrejt leximit të një libri për disa minuta”, vijon Connor.
Dhe një tjetër ndikim jo më pak i rëndësishëm është prirja e prindërve për të qenë shumë orë larg fëmijëve dhe shtëpisë, për shkak të punëve dhe angazhimeve, çka ndikon në prirjen e fëmijëve për të shkuar drejt laptopit, iPadit, apo telefonit.
Si mund ta ndryshoni?
Bëjeni leximin pjesë të jetës familjare. Lexojuni atyre para gjumit, pasi ky është themeli i nxitjes së kuriozitetit dhe imagjinatës. Nëse ata refuzojnë, jepni ju shembullin tuaj duke lexuar çdo ditë diçka të re.
Burimi: botasot.info