Socialistët ishin betuar se nuk do të votonin asnjë nismë që mbante firmën e personave te shpallur “non grata”.
Por, të premten surprizuan jo pak, kur në Komisionin e Ligjeve votuan kandidaturën e Simon Mirakës për të qenë anëtar i autoritetit të dosjeve edhe pse mes firmave mbështetëse për emrin e tij figuronte ajo e Sali Berishës.
“Ju jeni zotuar se nuk do të votonit asnjë që mban firmën e ‘non gratave’. Ju sapo votuat kandidatin me firmën e Sali Berishën. Ja këta jeni ju, jeni të pa fytyrë”, u shpreh Bardhi.
Fundjava e gjatë bëri që socialistët jo vetëm të reflektojnë, por edhe të korrigjojnë veten duke rrëzuar ne seance plenare vendimmarrjen e marrë në Komisionin e Ligjeve.
“Ne nuk kemi asgjë me kandidaturën e zotit Miraka. Jemi të gatshëm ta rivotojmë përsëri nëse nga lista e propozuesve të zotit Miraka hiqet emri i katranit me bojë”, tha Balla.
Ai që nuk u tërhoq ishte Sali Berisha, i cili pas thirrjeve te Gazment Bardhit dhe tërheqjes së Taulant Ballës sheh një lidhje të ngushtë.
“Individë që i lidh krimi, i fshinë emrin për të shkuar komisioner në komisionin e dosjeve të sigurimit të shtetit”, tha Berisha.
Deputetët që mbështesin linjën e Enkelejd Alibeaj nxituan të sqarojnë se nuk kanë asgjë kundër figurës së Simon Mirakës, por janë kundër firmës që e mbështet. Ai që u morr personalisht me Sali Berishën ishte Gazment Bardhi, i cili i kujtoi tragjedinë e Gërdecit ku përflitet familja e tij.
“Babi i Zenit, njeriut të vetëm përgjegjës për 26 të vrarë në Gërdec, duhet të gjejë kohë të paktën ti shkojë për ngushëllim baxhanakut të tij. Koha ku çdo punë e emërim kalonte nga zyra e Zenit ka mbaruar me vendim të DASH në 19 Maj 2021”, u shpreh Gazment Bardhi.