Duhej të ishte një ditë feste në Hong Kong, por tifozët e kësaj skuadre në fund mbetën shumë të zhgënjyer.
Madje, edhe qeveria e Hong Kongut ka kërkuar shpjegime për mungesën në fushë të futbollistit më të mirë të dy dekadave të fundit.
Inter Miami u përball me një skuadër “yjesh” nga Hong Kongu në turin aziatik, por “ylli” argjentinas, Lionel Messi, i ka zhgënjyer të gjithë: në vend që të duartrokitej, u vërshëllye.
Rreth 40 mijë tifozët e pranishëm në stadium kishin paguar nga 120-600 euro biletën për të parë tetë herë fituesin e topit të artë, por trajneri i skuadrës nga Florida, Tata Martino nuk e aktivizoi asnjë minutë.
Inter Miami fitoi 4-1, por për tifozët dhe qeverinë e Hong Kongut, asgjë nuk kishte kuptim pa Messin në fushë. Organizatorët e kësaj miqësoreje duhet të japin shpjegime për mosrespektim të marrëveshjes.
“Ne duam Messin”, thërrisnin tifozët në stadium edhe para fillimit të ndeshjes kur u mësua se Messi do të ishte në stol.