Protestat antiqeveritare po vazhdojnë në të gjithë Iranin pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini muajin e kaluar ndërsa mbahej në paraburgim. Ajo ishte arrestuar nga policia morale e Iranit për “veshje të papërshtatshme”. Materiali në vazhdim i korrespondentit të Zërit të Amerikës në Londër, Henry Ridgwell trajton pyetjen se ku mund të çojnë protestat, dhe si duhet të përgjigjet Perëndimi.
Në universitetin e Teheranit, studentët u mblodhën duke shkruar fjalën “gjak” në persisht, me trupat e tyre dhe duke kërkuar rënien e regjimit islamik. Për katër javë, protestat, kryesisht të udhëhequra nga gratë, janë mbajtur në mbarë vendin.
“Është vërtetë mbresëlënëse që për ta muri i frikës ka rënë plotësisht dhe gjithnjë e më shumë besojnë se nuk kanë asgjë për të humbur dhe prandaj protestat po vazhdojnë” thotë Ali Vaez, analist për Iranin tek Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Protestat e kaluara, si lëvizja e gjelbër e vitit 2009 nuk arritën ta rrëzonin qeverinë.
Por mes krizës ekonomike dhe shtypjes, pakënaqësia tani tejkalon çështjet politike, thotë analisti Behnam Taleblu.
“Në vend që të protestojnë kundër një elementi të regjimit, popullsia këtë herë kërkon heqjen e regjimit në tërësi”, thotë zoti Taleblu nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.
Dhjetëra protestues janë vrarë. Sipas analistit Ali Vaez, regjimi ka ende hapësirë për të shtypur demonstratat.
“Regjimi ende nuk e ka aktivizuar Gardën Revolucionare dhe ka ende shumë mjete shtypëse që mund t’i përdorë kundër lëvizjes”, thotë zoti Vaez.
Pas SHBA-së dhe Kanadasë, edhe Britania vendosi sanksione ndaj figurave të larta të policisë morale të Iranit.
“Sanksionet duhet të vihen edhe nga gjithë Bashkimi Evropian”, vlerëson zoti Taleblu.
Në Evropë, ligjvënëset gra dhe personalitete të njohura kanë prerë flokët në shenjë solidariteti me gratë iraniane. Protesta ka pasur në disa qytete.
“Ne jemi këtu për të qenë zëri i popullit në Iran dhe për të kërkuar që qeveria britanike të flasë”, thotë një protestuese që nuk do të identifikohet me emër.
Demonstratat po mbahen ndërsa SHBA dhe vendet evropiane po negociojnë me Teheranin për riaktivizimin e mundshëm të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Presidenti francez Emmanuel Macron dënoi të mërkurën shtypjen e protestave në Iran, por shtoi se Franca synon parandalimin e prodhimit të armëve bërthamore nga Irani.
Për analistin, Benham Taleblu bisedimet mbi programin bërthamor kanë dështuar dhe duhet të braktisen.
“Fondet që do zhbllokoheshin nga marrëveshja do të pasuronin aparatin e sigurisë së regjimit. Ky aparat sigurie është i njëjti që angazhohet në agresion të jashtëm dhe në shtypjen e brendshme që kemi parë këto katër javë”, vlerëson analisti Taleblu.
Ai shton se Perëndimi mund të ndërmarrë hapa praktikë për të ndihmuar protestuesit duke përfshirë ofrimin e internetit satelitor për të anashkaluar kufizimet e qeverisë./VOA