Që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, me 9 shkurt, Kosova është në një bllokadë institucionale.
Shtetit, përveç që po e “vuan” politikisht këtë ngërç, ai po e ‘paguan’ edhe financiarisht, sagën për konstituimin e Kuvendit.
Kjo krizë politike po reflektohet në shumë fusha të ndryshme.
Në mungesë të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botërore, Kosova është duke rrezikuar humbjen e 230 milionë eurove.
Një pjesë e marrëveshjeve, në vlerë të 130 milionë eurove, janë zvarritur prej vitit 2024, ndërsa tjerat, në vlerë të 100 milionë eurove, janë ujdi të reja.
E kjo mospërgjegjësi e partive politike dhe e deputetëve të Kuvendit, ka shkaktuar pakënaqësi dhe irritim edhe tek qytetarët, shoqëria civilie e akterë të tjerë.
Për këtë, ditët e fundit, pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile në vend kanë protestuar në hyrje të Kuvendit, para seancave konstituive.
Derisa deputetët po hynin në ndërtesë, pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile u rreshtuan pranë hyrjen duke mbajtur në dorë pankarta me mbishkrime si, “Deri kur?”, “Boll!”, “Unë jam deputet/e bllokues/e”, “Cirku i Republikës së Kosovës”, “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, “Loja juaj, pasojat tona” dhe “Deputetë veç në letër”, etj.
E aps këtyre, protestave erdhi edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Kushtetuesja vendosi se deputetët janë të obliguar që jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët. Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur për ligjshmërinë e refuzimit të votimit të fshehtë.
Mirëpo, çka pritet pas protestave dhe vendimit të Kushtetueses, a ka shpresë për zhbllokim të ngërçit politik?
Bugaqku: Ne si shoqëri civile protestuam para Kuvendit, kërkuam përgjegjësi nga ana e deputetëve
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Si fillim, ai mirëpriti vendimin e Kushtetueses dhe përmendi protestat që shoqëria civile ka organizyar në hyrje të Kuvendit.

Sipas tij, tani është koha që subjektet politike të arrijnë një kompromis, marrëveshje politike mes tyre.
“Tanimë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, normalisht që edhe ne si shoqëri civile dje përsëri protestuam para Kuvendit duke kërkuar përgjegjësi nga ana e deputetëve të cilët bazuar në Kushtetutën e Kosovës, së fundi edhe interpretimit e vendimit të Kushtetueses, kanë përgjegjësi dhe detyrë kushtetuese të mblidhen dhe të gjejnë konsensues apo marrëveshje politike, për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe rrjedhimisht për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Është mirë që tani, Gjykata Kushtetuese dha një afat, ku i obligoi gjithë deputetët dhe ku veçanërisht ia bëri të qartë përgjegjësinë grupit më të madh parlamentar, në këtë rast LVV-së, që brenda këtij afati të bëjë përpjekje të mjaftueshme që të arrijë një kompromis dhe konsensues politik me subjeketet e tjera parlamentare dhe kështu, të zhbllokohet ngërçi politik në Republikën e Kosovës”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Bugaqku mbeti i befasuar me faktin që Kushtetuesja dha një afat, por nuk sqarim pasojat e mosrealizimit të këtij vendimi.
Kësisoj, paralajmëroi se shoqëria civile nuk do ndalet në përpjekjet e saj për t’ua bërë të qartë deputetëve obligimet e tyre kushtetuese.
“Ajo çka është paksa e çuditshme është fakti që, pavarësisht që GJykata Kushtetuese dha një vendim, një afat se kur duhet të përfundohet seanca konstituive, megjithatë në këtë vendim nuk sqarohet se çka ndodhë nëse ky veprim nuk realizohet. Pra, rrjedhimisht kjo i bie se edhe nëse konsumohet afati 30 ditor nuk ka me pas asnjë lloj pasoje as kushtetuese as juridike për këta deputetë.
Prandaj, ne normalisht si shoqëri civile do të bëjmë edhe thirrje edhe përpjekje të vazhdueshme, që palëve, në këtë rast akterëve përkatës t’ua bëjmë të qartë që t’i kryejnë të gjitha detyrat dhe obligimet kushtetuese dhe të bashkëpunojnë mes vete për ta zgjidhur kryetarin, kështu për ta konstituar Kuvendin e Kosovës”, përfundoi Vullnet Bugaqku për “Bota sot”.
Nimani: Fatkeqësisht, protestat dhe zërat e shoqërisë civile po injorohen nga një pjesë e spektrit politik
Kurse, Artan Nimani nga Forumi Intelektual E30 u shpreh i shqetësuar me situatën e kijuar, pas dështimeve të njëpasnjëshme të seancave konstituive.
Nimani, i cili i është bashkangjit Nismës, tha se si subjekt politik që pas certifikimit të rezultateve, kanë shpreh gatishmëri për bashkëpunim në formim të institucioneve.

“Situata e krijuar pas zgjedhjeve dhe pamundësia për konstituimin e Kuvendit të ri të Republikës së Kosovës është thellësisht shqetësuese. Kjo gjendje përfaqëson një krizë të zgjatur institucionale, që dëmton drejtpërdrejt funksionimin demokratik të shtetit dhe e minon besimin e qytetarëve në përfaqësuesit e tyre politikë.
NISMA Socialdemokrate, si gjithmonë, mbetet e përkushtuar për zgjidhjen e kësaj situate. Që nga momenti i çertifikimit të rezultateve zgjedhore, kemi shprehur gatishmërinë për të kontribuar në ndërtimin e një zgjidhjeje funksionale, gjithëpërfshirëse dhe mbi të gjitha në përputhje me frymën kushtetuese”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, ai përmendi edhe faktin se është ofruar edhe kandidatura e Limajt për kryetar Kuvendit, por e njëjta nuk është aprovuar.
“Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton qartë të drejtën për propozimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit, ne kemi ofruar kandidaturën e z. Fatmir Limaj — një figurë me përvojë të gjatë institucionale dhe me potencial unifikues. Besojmë se një kandidaturë e tillë mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të zhbllokuar situatën dhe për të garantuar funksionalitetin e institucioneve”.
Në fund, sa i përket protestave të shoqërisë civile, Nimani tha se është sinjal i keq që po injorohen nga skena politike, ndonëse vendi është në një krizë të thellë politike.
“Fatkeqësisht, protestat dhe zërat e shoqërisë civile po injorohen nga një pjesë e spektrit politik. Kjo mungesë ndjeshmërie përballë një krize të thellë politike është alarmante. Të zgjedhurit e popullit nuk mund të sillen si spektatorë të një paralize institucionale – ata kanë përgjegjësinë të veprojnë në interes të qytetarëve dhe të ardhmes së vendit”, përmbylli Artan Nimani për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info